Instituti Albanologjik është cilësuar si i vetizoluar në raportin e publikuar nga “Integra”. Shkëlzen Gashi nga kjo organizatë ka dhënë disa arsye në Express Intervistën në KTV pse e kanë cilësuar si të tillë këtë institut.
Sipas tij, Instituti Albanologjik është më shumë i izoluar nga vetja sesa nga dikush tjetër.
Duke përmendur gjetjet e këtij raporti, Gashi ka theksuar se fillimisht uebfaqja e këtij instituti nuk është e përditësuar. Ai ka thënë se aty mungojnë punimet shkencore, revistat e se faqja është vetëm në gjuhën shqipe. Sipas tij, uebfaqja vetëm në gjuhën shqipe është faktor tjetër që e bën Institutin Albanologjik “të vetizoluar”.
Sipas tij, problem tjetër është edhe ligji që nuk e kufizon mandatin e drejtorit. Ka thënë se kanë rekomanduar që të ndryshohet ligji e të mos lejohen më shumë se dy mandate.
Gashi ka treguar se drejtori i Institutit Albanologjik është edhe kryesues i Këshillit Drejtues të Institucionit Albanologjik dhe i Këshillit Shkencor. Ai ka thënë se në këta këshilla nuk duhet të lejohet të ketë anëtarë nga politika.
“Ka tri pozita brenda. Është bajagi absurde. Duhet të jetë dikush krejt tjetër e dikush që e monitoron, mbikëqyr, jep vërejtje, kërkon transparencë e llogari. Është ligji për veprimtari kërkimore shkencore që ia ka mundësuar. Por ndoshta është dashur edhe me ndërgjegje të mos e bëjë këtë. Te këshilli drejtues dhe shkencor ligji duhet të specifikojë cilat janë kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve sepse po futen njerëz të politikës. Te drejtuesit është edhe këshilltari i presidentit të Kosovës. Duhet të ndryshohet sapo të ndryshohet ligji”, ka thënë tutje ai.
Gashi ka thënë se 2/3 e buxhetit të këtij instituti shkojnë për paga e mëditje.
“Është një rregullore që i përcakton pagat në Universitetin e Prishtinës e që vlen edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve dhe institutet tjera që financohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Një profesor-asistent merr 1200 euro pagë, një i asocuar dyqind euro më shumë, e një i rregullt rreth 1600. Këtu 1240 euro i merr anëtari korrespodent, gati 1500 ai i rregullt. Kemi kërkuar që ndarja të jetë varësisht nga publikimet. Për titullin Bashkëpunëtor Shkencor marrin 1239 euro dhe kërkohet një punim shkencor, e nuk e kanë, për Bashkëpunëtor i Lartë Shkencor marrin 1379 euro kërkohen tri punime e për Këshilltar Shkencor 1622 euro dhe kërkohen pesë punime”.
Ai ka thënë se prej 36 punonjësve që ka ky institut, shumica kanë publikime shkencore, por sipas tij, jo në revista shkencore serioze. Ka thënë se aty është vështirë të arrihet sepse nuk plotësohen kriteret.
Ka thënë se me këtë raport shoqëria civile do të “bëjë zhurmë” e të kërkojë që institucionet kryesore të marrin masa.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.