Arbëri

Haxhiu e VV-së e Shala i Nismës kundër bashkëqeverisjes

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që Nisma të mos jetë në Qeverinë e re ndërsa edhe partia e Limajt thotë se nuk ia vlen të jetë pjesë e së njëjtës qeveri me partinë e Albin Kurtit.

Vetëvendosje nuk po e sheh si partner të mundshëm qeverisës koalicionin e Nismës Socialdemokrate, pavarësisht se kjo e fundit momentalisht po qëndron mbi pragun zgjedhor prej pesë për qind.

Skepticizëm për këtë koalicion ka edhe nga radhët e vet Nismës, por edhe nga shoqëria civile.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për KosovaPress ka thënë se partia e Fatmir Limajt nuk do të jetë pjesë e qeverisjes Kurti, derisa thotë se për ta ende vlen rezultati i KQZ-së ku Nisma është nën prag.

“Asnjëherë në organet e VV-së nuk është trajtuar çështja e përfshirjes apo jo të Nismës. Unë besoj që edhe ky subjekt politik ka marrë mesazh të qartë nga qytetarët të cilët e ndëshkuan për shkak të keqqeverisjes në koalicionin PAN. Për bindjen time natyrisht kjo i takon organeve të VV-së, por një subjekt i tillë nuk do të duhej të përfshihej në qeverisjen e ardhshme. Nuk mund të paragjykoj situatën, nga QNR ne marrim informacione se Nisma zbret me vota. Në qoftë se i ka pasur 23 vota mbi prag, tashmë është diku 14”, thotë ajo.

Haxhiu thekson se nëse realizohet plani i partisë së saj për koalicion me LDK-në dhe komunitetet jo shumicë nuk do të ketë nevojë për zgjedhje të reja.

Nga radhët e Nismës, anëtari i kryesisë, Haxhi Shala thotë se këtë çështje ende nuk e kanë diskutuar në parti, por sipas tij nuk ia vlen që të jenë pjesë e ekzekutivit në krye me Albin Kurtin.

“Ende nuk e kemi diskutuar në parti, por nuk ia vlen që të jemi pjesë e qeverisë së Albin Kurtit”, thotë Shala.

Ndërsa, analisti politik, Arton Demhasaj thotë se zgjedhjet e reja nuk janë të nevojshme, pa marrë parasysh hyrjen apo jo të Nismës në Qeveri.

Për Demhasajn përfshirja e Nismës në ekzekutivin e ardhshëm mund të jetë kërkesë e LDK-së.

“Një gjë e tillë nuk po duket që mund të jetë e mundshme, madje as e nevojshme që Nisma të përfshihet në Qeveri. Në anën tjetër kemi partnerin potencial tjetër të qeverisjes së ardhshme që do të jetë LDK që në një mënyrë apo tjetër e ka lënë me nënkupton që Nisma edhe mund të futet në Qeveri. Pra mund të kemi një situatë që VV mos të dëshirojë Nismën në Qeveri, por mund të jetë kërkesë nga ana e LDK-së që të përfshihet në qeverisjen e ardhshme. Me gjasë kjo mund të jetë një prej atyre problemeve kryesore për me i zgjidhë dy partnerët e koalicionit, pikërisht me përfshirjen apo jo të Nismës në qeverisjen e ardhshme”, thotë ai.

Javën e kaluar fillimisht PZAP, por më pas edhe Gjykata Supreme i kanë larguar fletëvotimet e ardhura nga Serbia, duke zvogëluar trupin elektoral, me ç’rast koalicioni Nisma-AKR-PD momentalisht është mbi pragun zgjedhor.