Arbëri

Bëhen 10 vjet nga nisja e punës për TV ARTA-n dhe Koha.net-in

Dy mediume të Grupit Koha, Koha.Net dhe TV Arta, këto ditë po festojnë 10-vjetorin e punës.

Për një dekadë, Koha.net informon lexuesit e saj në kohë reale me lajmet më të fundit nga vendi e bota, raporton KTV.

Pjesë e Koha.net-it, që nga themelimi, ishte Artan Krasniqi.

Krasniqi, i cili është redaktor në Koha.net, thotë se nuk ka qenë e lehtë të ruhen vlerat e gazetarisë në një ambient të rritjes së numrit të portaleve.

Punën në portal nuk e kishte të lehtë as gazetari Endrit Berisha, ndonëse thotë se besimin e lexuesve të Koha.net-it, nuk mund ta sfidojë asnjë prej mediave të tjera online.

Krahas portalit, Grupi Koha zgjeroi veprimtarinë e vet edhe në një platformë të re. E re për nga funksionimi, por edhe e para për nga ajo se çfarë ofronte.

Një televizion informativ 24-orësh, përmes të cilit synohej publikimi i lajmit derisa ai ishte duke ndodhur.

Puna në TV Arta, për gazetaren Arbnorë Luta, aq sa ka qenë sfidë është edhe kënaqësi.

Informimi i publikut përmes ArtaNews do të ishte i pamundur pa ekipin realizator, pjesë e të cilit është Milot Mujku.

Sfidat me të cilat përballet, Mujku thotë se janë të shumta, derisa shton se punën më të lehtë e bën bashkëpunimi me stafin.

Portali si dhe kanali informativ, tërë veprimtarinë e tyre ditore e zhvillojnë në bashkëpunim të ngushtë me gazetën Koha Ditore dhe Kohavisionin.