Arbëri

Sipas “Blicit”, Macroni thirri me urgjencë për një takim Vuçiqin e Thaçin

Paris, 12 nëntor – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron papritmas i ka ftuar sot në një takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, raporton “Blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Edhe Vuçiqi, edhe Thaçi ndodhen në Paris, ku po marrin pjesë në “Forumin e Paqes”. Sipas “Blicit”, Vuçiqi e lëshoi panelin mbi multilaterizmin në kuadër të Forumit, që të merrte pjesë në bisedën me presidentin francez.

Macron mbrëmë kishte pasur takime bilateral me Vuçiqin dhe me Thaçin.

Por ai kishte shfaqur dëshirën që sërish të takohej me Vuçiqin, e pastaj edhe me Vuçiqin e me Thaçin bashkërisht, citon “Blic” burimet diplomatike nga Parisi.

Macron qysh më parë kishte theksuar disa herë dëshirën për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Francës në dialogun midis Beogradit e Prishtinës, i ndërprerë tash e një kohë, transmeton Koha.net.