Pacolli kërcënon ambasadorët

Pacolli kërcënon ambasadorët

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 12 November 2019 07:45

Ambasadorët e Kosovës kanë pranuar të hënën një kërcënim nga ministri në detyrë, Behgjet Pacolli. Nëpërmjet një shkrese adresuar atyre, do të konsiderohet “shkelje e detyrës zyrtare” në rast se ata zbatojnë një udhëzim të Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas të cilit misionet diplomatike duhet të mos i pranojnë rekrutët politikë të deleguar jashtëligjshëm nga Pacolli.

Në numrin e së shtunës “Koha Ditore” ka publikuar përmbajtjen e letrës së kësaj drejtorie, shkruan sot Koha Ditore. Mbështetur në shkresë, të gjithë të deleguarit e fundit në misione diplomatike që nuk posedojnë gradë diplomatike “nuk mund të akreditohen si diplomatë të Republikës së Kosovës në vendin pritës” dhe se “të njëjtit nuk mund dhe nuk duhet të futen në obligime shtetërore si staf teknik”.

Letra informonte ambasadorët se asnjëri nga personat që janë dërguar në misione nuk ishte pjesëtar i shërbimit civil, i shërbimit diplomatik dhe as i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe si të tillë nuk ishin “subjekt i trajtimit të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe as konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore”.

Pacolli të hënën ka nisur një letër te ambasadorët, nëpërmjet së cilës i kundërvihet përmbajtjes së asaj të dërguar të premten e shkuar nga Drejtoria e Përgjithshme.

“Duke shprehur konsideratat e larta për angazhimin tuaj, marr shkas t’ju shkruaj pas një e-maili që keni pranuar ditën e premte nga Drejtoria e Përgjithshme, e-mail i cili një ditë më pas ka dalë edhe në media.

Përmbajtja e e-mailit, përpos që nuk është në pajtim me ligjet dhe rregullat e aplikueshme, e njëjta gjithashtu është adresuar në atë mënyrë që tejkalon edhe fushëveprimin e kompetencave ligjore të Drejtorisë së Përgjithshme”, thuhet në letrën e Pacollit, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme