Arbëri

Në hartimin e udhëzimit për oficerët doganorë merr pjesë nipi i drejtorit, e kundërshton Sindikata

Udhëzimi Administrativ që ndryshoi procedurat e rekrutimit të oficerëve doganorë është hartuar nga njerëz të afërt të drejtorit të Doganave.

Në një procesverbal të datës 18 prill 2019, te ekipit punues për hartimin e këtij Udhëzimi, ishte ngritur shqetësimi i konfliktit të interesit brenda këtij grupi, pasi pjesë e tij ishte bërë Kujtim Krasniqi, raporton KTV.

Krasniqi është nip i drejtorit të Doganës, Bahri Berisha.

Në këtë takim, Valdete Krasniqi, kishte tërhequr vërejtjen dhe kishte kërkuar përjashtimin e Krasniqit nga Ekipi Punues për hartimin e këtij udhëzimit pikërisht ngase e kishte cilësuar konflikt interesi.

Vetë Bahri Berisha ka konfirmuar se Kujtim Krasniqi është nipi i tij, por që, sipas tij, ai nuk e ka deleguar atë në grupin punues për hartimin e atij Udhëzimi.

Berisha ka referuar të pyesim Sindikatën për këtë çështje, pasi thotë se nipi i tij ka 20 vjet që është pjesë e saj.

“Kohavisioni” ka kërkuar koment nga Sindikata, por ajo nuk ka kthyer përgjigje të hënën.

Vetë Krasniqi ka thënë se e ka përfaqësuar Sindikatën, dhe atje është deleguar me vendim të kryesisë, vendim ky që merret me shumicë votash. Ai ka thënë se mbrojtja e interesave të punëtorëve, nuk paraqet konflikt interesi.

Ministria e Financave ka thënë se çështja e Udhëzimit Administrativ është nën kompetencën e Doganave të Kosovës dhe ata përgjigjen për rastin.

Ndërkohë, edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka në thënë se për çdo rast për të cilin kjo agjenci ka informacion ose me të cilin pretendohet se ka ose ka pasur konflikt interesi në ndonjë vendimmarrje të caktuar, AKK-ja e trajton në bazë të kornizës ligjore përkatëse.

”Për rastin në fjalë, Agjencia kundër Korrupsionit tani për tani nuk ka informacion të mjaftueshëm, por në bashkëpunim edhe me Autoritetin përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit brenda Doganës së Kosovës, sigurisht se kjo situatë do të shqyrtohet ditëve në vijim”.

“Kohavisioni” raportoi ditë më parë se si Dogana e Kosovës ka ndryshuar këtë Udhëzim administrativ për rregullimin e marrëdhënies së punës së oficerëve doganorë e i cili ishte kundërshtuar nga Sindikata e këtij institucioni.

Sipas tyre, kjo është bërë qëllimshëm, që të krijojë hapësirë për të graduar njerëz të caktuar brenda Doganës. Pos Sindikatës, konkursi është kundërshtuar edhe nga departamenti i personelit duke e cilësuar atë jashtëligjor dhe në shpërputhje me Kodin Doganor.

Megjithatë, Dogana insiston se Udhëzimi është ligjor dhe nuk ka qëllim rehatimin e militantëve partiakë në pozita, por plotësimin e vendeve që kanë qenë me ushtrues detyre.