Neglizhenca e institucioneve mund t’ua humbë kosovarëve 300 milionë euro kursime në bankat e Serbisë

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 10 November 2019 19:11

Rreth 300 milionë euro, shteti i Serbisë duhet t’ua kthejë qytetarëve të Kosovës, sipas aktvendimit të Gjykatës së Strasburgut.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se kjo gjykatë u ka dhënë të drejtë qytetarëve të Kosovës që t’i marrin kursimet që i kanë pasur të deponuara në bankat e Serbisë, në kohën e paraluftës, raporton KTV.

Jashari, për këtë çështje, më 25 korrik të këtij viti, u është drejtuar institucioneve të Kosovës, me propozimin për themelimin e një zyre ku qytetarët do të mund t’i dorëzonin dëshmitë që kanë në lidhje me kursimet e tyre.

Avokati i Popullit shpreson që me formimin e qeverisë së re, kjo çështje do të zgjidhet.

Qytetarët shprehet skeptikë nëse dikush nga institucionet do të mund t’i kthejë ato para.

Nga Ministria e Financave, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale është kompetente, por që është e gatshme të ofrojë çdo asistencë që kërkohet.

“Për këtë çështje, MPMS-ja është kompetente. Ajo ka qenë dhe është në kontakt me Avokatin e Popullit. Ministria e Financave është e gatshme të ofrojë çdo asistencë që kërkohet. Por, çështja e pensioneve është kompetencë e MPMS-së”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Financave.

KTV-ja, për këtë çështje, ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe nga ajo e Drejtësisë, mirëpo që nga e mërkura, asnjëra prej këtyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa, në Bankën Qendrore të Kosovës, kanë thënë se banka e Serbisë dhe shteti serb po refuzojnë bashkëpunimin për këtë çështje.

“Pas kërkesës nga Avokati i Popullit, me datë 17 shtator 2019, Guvernatori Mehmeti ka adresuar një shkresë zyrtare te guvernatorja e bankës së Serbisë, me ç’rast janë kërkuar informata të hollësishme rreth kësaj çështjeje, mirëpo ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje. Nga ajo që mund të shihet, mund të themi se banka e Serbisë dhe shteti serb po refuzojnë të bashkëpunojnë në një çështje që ka të bëjë me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në takime të ndryshme që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar zbatimin e të drejtave të qytetarëve tanë”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme