Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin e radhës në kuadër të publikimeve nga monitorimi i gjykatave dhe prokurorive.
Sipas IKD-së, problematikë për sistemin e drejtësisë vazhdon të mbetet numri i madh i lëndëve që duhen trajtuar.
Megjithëkëtë, sipas IKD-së, sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me krime të përgjithshme, ka rritje të efikasitetit në trajtimin e tyre ndër vite, raporton KTV.
Ehat Miftaraj nga IKD thekson se në krahasim me trajtimin e çështjeve të tjera, trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me krime të përgjithshme është më i mirë.
“Gjykatat e Kosovës dhe Prokuroritë që merren me krime të përgjithshme janë në gjendje shumë më të mirë se sa ato që merren me çështje civile dhe administrative. Ndër gjykatat më efikase në trajtimin e këtyre lëndëve është ajo e Mitrovicës”, tha Miftaraj.
Sipas, IKD-së, Gjykata me më së paku efikasitet në trajtimin e lëndëve, si dhe me ngarkesën më të madhe, është ajo e Prishtinës.