Vazhdon edhe sot samiti i Ohrit

Rama: S’është ideja ta ndajmë Ballkanin Perëndimor, s’ka arsye që Kosova të vetëpërjashtohet

10 November 2019 09:20
13:25

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit në Ohër në kuadër të të ashtuquajturit Mini-Schengeni Ballkanik, tha se ky takim nuk do të thotë ndarje e Ballkanit Perëndimor.

AI tha po ashtu se Kosova s’ka arsye të vetëpërjashtohet nga kjo iniciativë.

“Nuk është ideja ta ndajmë Ballkanin Perëndimor, por të përfshijmë të gjitha vendet në këtë nismë. E gjitha kjo gjë ka në thelb lëvizjen e lirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Më tej shtoi se palët u dakordësuan që me 21 dhjetor të zhvillohet mbledhjen e radhës në Durrës.

“Herës tjetër i pranishëm edhe pasuesi i Mogherinit, si vazhdimësi e një rruge të nisur. Në Durrës mirëpresim edhe Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Nuk ka arsye që Kosova papritur të vetëpërjashtohet. Besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është mini-schengeni. E konsideroj me rëndësi të veçantë këtë nismë mes vendeve”, u shpreh Rama.

“Besoj se paqja është e ndërlikuar, por është proces që ia vlen. E kam predikuar bashkëpunimin rajonal që ditën e parë që jam bërë kryeministër. Sa më mirë të jetojnë njerëzit, aq më shumë gjasa ka të zgjidhen problemet e së shkuarës. Kosova është e mirëpritur në mbledhjen e radhës”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

“Mini-schengenin nuk e di kush e gjeti, mua nuk më konvenon. Duke qenë 198 centimetra, nuk jam ndjerë kurrë pjesë e një mini”.

“Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë aty, sepse unë nuk kam jetuar dhe nuk kam asnjë kujtim. Kush flet për një Shqipëri të Madhe duhet të heshtë. Nuk ka mundësi që unë të jem edhe mini-jugosllav edhe shqiptaro-madh, jam një qytetar evropian”, tha Rama.

Në konferencë foli edhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev i cili deklaroi:

“Të gjithë duhet te biem dakord se Ballkani po ndryshon. Plani parashikon lëvizjen e lirshëm, me kartë ID të qytetarëve të këtij rajoni”.

Kurse Vuçiqi, pas deklaratës së kryeministrit maqedonas Zaev, deklaroi se marrëveshja e “mini-schengenit ballkanik” është shumë e rëndësishme për Serbinë, por edhe për vendet e tjera që janë pjesë e saj.

“Mini-Schengeni ballkanik është një nismë shumë e mirë për vendin tonë. Është e rëndësishme se si u morëm vesh në një kohë të shkurtër për të arritur një marrëveshje që është në të mirë të qytetarëve tanë”, deklaroi ai.

Më tej shtoi se nga kjo marrëveshje të tre vendet do të kursejnë rreth 260 milionë dollarë.

Njësoj si Zaevi, edhe Vuçiqi lajmëroi se qytetarët e rajonit do të mund të udhëtojnë nga një shtet në tjetrin vetëm me letërnjoftim.

Ndërkaq Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ka thënë se Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal do të mbështesë të gjitha nismat që kontribuojnë në agjendën e krijimit të një tregu të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë të BE-së.

Pas takimit të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër, Bregu tha se nismat duhet të pasqyrojnë plotësisht modelet e BE-së dhe në këtë mënyrë të përfaqësojnë një gur themeli në integrimin e plotë në BE.

“Heqja përfundimtare e barrierave brenda rajonit tonë është urgjentisht e nevojshme. Në verë në Samitin e Poznanit, RCC inicioi idenë për një marrëveshje rajonale të udhëtimit me karta identiteti në rajon, ndaj mirëpresim të gjitha nismat e agjendave reale të liberalizimit për rajonin tonë, qofshin ato në lidhje me transportin dhe lehtësimin e tregtisë, lëvizshmërinë, dixhitalizimin ose fusha të tjera, pasi nuk ka vend për proteksionizëm. RCC është e gatshme të lehtësojë dhe intensifikojë punën për zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP REA) dhe më gjerë, besimplotë se do të arrihet një kornizë gjithëpërfshirëse, tha Bregu duke shtuar se nismat e lindura në rajon për zhvillimin ekonomik të tij paraqesin kuptimin e mirëfilltë të natyrës dhe përfitimeve të bashkëpunimit rajonal”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se janë në pritje që ky proces të paraqesë vizionin dhe të nxisë nisma dinamike për përmirësimin dhe forcimin e pronësisë së MAP REA të ri të përditësuar, si dhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit.

“Kjo iniciativë gjithashtu ka potencialin për të kontribuar në propozimet për metodologjinë e re të anëtarësimit në BE dhe ky vendim duhet të merret me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (BP) në bord, por gjithashtu të thërrasë rreth tryezës Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe të CEFTA-s", përfundoi Bregu.

10:20

Samiti i Ohrit, dalin pamjet nga takimi i sotëm

Image

Ditën e sotme, samiti i Ohrit, i ashtuquajturi Mini-Schengeni Ballkanik, ka bërë bashkë treshen politike Edi Rama, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

09:20

Vazhdon edhe sot samiti i Ohrit

Image

Ditën e sotme do të mbahet samiti i Ohrit, i ashtuquajturi Mini-Schengeni Ballkanik, i cili do të bëjë bashkë treshen politike Edi Rama, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

LEXONI EDHE KËTË

“Mini-Schengeni Ballkanik”, lëvizja e lirë, ndër konkluzat kyçe të takimit të sotëm Zaev-Rama-Vuçiq

Pritet që në samitin në fjalë të diskutohet mbi zbatimin e katër lirive të Bashkimit Evropian; lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve. Ndërkohë në orën 12:00 do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp mes tre përfaqësuesve të shteteve, shkruan tch.

LEXONI EDHE KËTË

Thaçi thotë të ketë refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit

Në agjendën e samitit është parashikuar që pjesëmarrës do të jenë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në takim.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme