Arbëri

Hapja e ambasadës në Prishtinë nga janari, hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve Japoni-Kosovë

Hapja e ambasadës në Prishtinë nga janari, hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve Japoni-Kosovë
 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli dhe sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim ambasadorin e Japonisë z. Kiyoshi Koinuma, i cili ishte i shoqëruar nga sekretari i parë z. Mitsunori Ogasawara, dhe përgjegjësi për Zyrën japoneze në Prishtinë, z. Arbër Myftari.

Sipas njoftimit nga ky takim, ambasadori Koinuma, i cili është në përfundim të mandatit të tij, njoftoi z. Kurtin për raportet e deritanishme të Japonisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe kulturës. Ai ndau me zyrtarët e LVV-së lajmin e mirë se që nga janari i vitit 2020, Japonia do ta hapë Ambasadën e saj në Republikën e Kosovës. Ky do të jetë një hap shtesë në përparimin e raporteve bilaterale në mes të dy vendeve tona. Për më tepër z. Koinuma u interesua për procesin zgjedhor dhe procesin e negociatave për formimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.