Arbëri

Studentët e Fakultetit të Arteve nesër sërish në protestë para MASHT-it

Foto: Koha

Këshillin Studentor i Fakultetit të Arteve (KS i FA), që udhëhiqet nga Organizata studentore “REFORMA”, vazhdon me protestën e radhës për ta kundërshtuar, siç thonë, “vendimin diskriminues të MASHT-it” për konkursin e bursave, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ky këshill thotë se nesër do të organizojë protestë me studentët e kësaj njësie Akademike nga ora 10:30, duke ftuar studentët të mblidhen tek Fakulteti i Arteve, për të vazhduar marshimin në ora 10:45 drejtë Ministrisë së Arsimit, “ku dhe do të zhvillohet pjesa kryesore e aktivitetit”.

“Ne jemi kundër që në këtë mënyrë të diskriminohen studentët e dalluar të cilët kanë arritur rezultate të larta në studimet e tyre, ky konkurs për bursa i shpallur nga Ministria e Arsimit është shqetësim për ne, duke mos e përfshirë Fakultetin e Arteve i cili është mjaft specifik dhe saktësohet mirë edhe me rregullore dhe statut të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Arteve.

KS i FA thotë më tej se shpenzimet në këtë Fakultet janë mjaftë të larta dhe nganjëherë edhe të papërballueshme për studentët, ndërsa potencon se ata deri në vitin e kaluar kanë shfrytëzuar mundësinë e tyre për bursë nga ministria e Arsimit, “e cila ka qenë një mbulesë dhe lehtësim i madh për rimbursimin e mjeteve të shpenzuara gjatë studimeve”.

Këshilli ia kujton Ministrisë së Arsimit “premtimin për rritje të buxhetit për bursa nga viti në vit”, ndërsa thotë se “tani po del e kundërta duke e stër-minimizuar numrin e ndarjes së bursave për studentët e dalluar”.

“Kjo si duket është shfrytëzuar më shumë për parafushatë elektorale dhe fare nuk i shohin si prioritet vullnetin dhe stimulimin e studentëve që të arrijnë rezultate të shkëlqyera në studime. Ne nuk jemi kundër kritereve, jemi kundër faktit që nuk ka gjithpërfshirje. Prioriteti i fundit për Ministrin e Arsimit është studenti. Nuk na ndal as shiu për të kërkuar të drejtat tona”, ka përfunduar KS i FA.