Arbëri

Qeveria miraton propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore

Qeveria e Kosovës në detyrë, ka zhvilluar mbledhjen në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

Duke vepruar sipas kërkesës së Ministrisë së Financave, është miratuar vendimi për kursimet dhe ndarjet buxhetore ndërmjet kategorisë së shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2019, në pajtim me nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për këtë vit.

Vendimi, siç ka thënë Haradinaj, është hartuar në bazë të kursimeve të deklaruara nga organizatat buxhetore për mjetet financiare për vitin 2019 dhe ka për qëllim që të ngritë efikasitetin e ekzekutimit të buxhetit në përmbyllje të këtij viti fiskal.

Aprovim ka marrë edhe Raporti i Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet për periudhën nëntë mujore të vitit 2019, si dhe kërkesa për ndarjen e mjeteve shtesë për Ekipën e Zhvillimit të Kompaktit, të cilat mundësojnë vazhdimin e angazhimit të ekspertëve për përgatitjen e suksesshme për përfitim të grantit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Po sot, është miratuar vendimi për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit, dhe propozim vendimi për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, si dhe Agron Rrahmani, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani, para festave të 29 Nëntorit të këtij viti.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se nëse vonohet edhe më tej formimi i qeverisë të mbahen edhe një mbledhje e ardhshme, duke parë rëndësinë për vendin.

Mbledhja e fundit e qeverisë në detyrë ishte mbajtur më 26 korrik.