Arbëri

Berisha takon Kurtin: Qytetarët mandatuan koalicionin VV-LDK

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka thënë se qytetarët e Kosovës me zgjedhjet e 6 tetorit mandatuan ndryshimin dhe koalicionin VV-LDK për të udhëhequr vendin drejt integrimeve evropiane.

Në një takim me liderin e VV-së, Albin Kurti, të cilit i referohej si kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Berisha ka thënë se e ka uruar për fitoren dhe ka treguar se kanë biseduar për “zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës në interesin më të mirë të dy vendeve dhe kombit tonë si dhe bashkëpunimit rajonal”.

“Në këtë takim i shpreha dhe njëherë zotit Kurti urimet e përzemërta për fitoren e tij dhe Lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë duke theksuar se zgjedhjet e fundit ishin historike, qytetarët e Kosovës me votën e tyre mandatuan ndryshimin, mandatuan koalicionin LVV-LDK, Albin Kurtin, Vjosa Osmanin për udhëheqjen e vendit në rrugën e ndryshimit dhe integrimeve europiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Berisha në Facebook, duke e quajtur takimin të hapur dhe miqësor.