Arbëri

Ministria do ndryshimin e ligjit që jep leje pa kushte për ujërat, shoqëria civile kundër

Ligji për ujërat e Kosovës ndalon ndërtimin e objekteve në disatancë prej 30 metrash nga lumenjtë.

Por, kjo distancë po tentohet të ndryshohet në 10 m, me projektligjin e ri për ujërat, që është duke u hartuar nga Ministria e Mjedisit.

Në plotësim-ndryshimin e këtij ligji, në nenin 77, është shtuar edhe një paragraf me të cilin mundësohet dhënia e lejes ujore pa plan ujor dhe pa kushte ujore, raporton KTV.

Miratimi eventual i këtij ligji, me këto ndryshime, sipas shoqërisë civile, do të thoshte degradim i ujërave dhe mundësi për keqpërdorime me to.

Megjithatë, në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë se grupi punues po punon në mbledhjen e komenteve, përfshirë edhe vërejtjet e shoqërisë civile.

Sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë për KTV-në se Ministria nuk do të procedojë me këtë ligj pa u shterur i gjithë debati si dhe pa u formuar institucionet e reja të qeverisë.

“Është e nevojshme që të kemi ende konsultime shtesë me të gjitha palët e interesit dhe institucionet tjera, në mënyrë që të adresohen drejt dhe në mënyrë sa më profesionale të gjitha aspektet ligjore”, ka theksuar Çitaku.

Banorë të Pejës, Deçanit dhe Shtërpcës, kanë protestuar në vazhdimësi vitin e fundit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenj.