Arbëri

Cakaj tregon arsyet pse Zaev dha dorëheqje e Rama jo

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka dhënë arsyet pse kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dha dorëheqje pas dështimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, dhe një gjë të tillë s’bëri Edi Rama si kryeministër i Shqipërisë pavarësisht dështimit të njëjtë.

Sipas tij, si pikë e rëndësishme dalluese janë kushtet që janë përmbushur, punët e brendshme dhe referendumi që ishte bërë në Maqedoni me rastin e ndryshimit të emrit.

“Ka disa gjëra që duhet të sqarohen, e para është fakti se dy vendet janë njëjtë të zhvilluara në rrugën evropiane, por s’do të thotë se dy vendet qëndrojnë njëjtë brenda. Shqipëria e Maqedonia kanë merituar hapjen e negociatave sepse kanë përmbushur kushtet, por kushtet s’ishin të njëjta. Sepse Maqedonia s’ka pasur obligim të kryejë vetingun, por adresimin e prioriteteve nga marrëveshja e vitit 2015 dhe mbylljen e problemeve me Greqinë. Shqipëria ka pas kushte tjera. S’ka pas bazë të ndodhë ndarja, sepse të dyja kanë përmbushur detyrat. Nga qershori 2018 kur edhe realisht filloi procesi, por që u shty vendimi, morëm mësim që procesi i çeljes së negociatave varet nga dy shtylla, dinamika e reformave të brendshme dhe trendi i reformave në Evropë. Kemi ulur pritjet duke mos bërë zotime të prera se negociatat do të hapen, e te Maqedonia pati referendum për ndryshim të emrit shtetëror dhe në vetë pyetjen ishte nëse qytetarët pranojnë ndryshimin e emrit në këmbim të perspektivës evropiane. BE-ja s’mbajti premtimin me këtë rast”, ka thënë Cakaj në Rubikon të KTV-së.

Sipas tij, faktor tjetër është se “Maqedonia s’ka barriera që pamundësojnë një proces të brendshëm zgjedhor” ndërsa i treti se “Maqedonia në shumën e kushteve, qeveria pati përgjegjësi më të madhe se ajo në Shqipëri”.