Arbëri

Kosova mungon me pjesëmarrje në nismat rajonale

Kohët e fundit, për arsye të ndryshme, Kosova ose është anashkaluar ose nuk ka qenë fare pjesëmarrëse e nismave e forumeve rajonale, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Rasti i fundit, ishte ai i para dhjetë ditëve kur disa nga vendet e Ballkanit, konkretisht Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Marrëveshja, e paraqitur në opinion edhe si “Mini Schengen” ballkanik, pritet të fillojë së zbatuari në vitin 2021, dhe është nënshkruar në Novi Sad të Vojvodinës, përkatësisht të Serbisë.

Kurse në muajin korrik, Kosova nuk mori pjesë në samitin të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore – SEECP, që ishte mbajtur në Jahorinë të Bosnjë Hercegovina. Atë kohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ishte ftuar në cilësinë e presidentit, sikurse edhe homologët e tjerë nga vendet e rajonit, çka si kundërpërgjigje erdhi edhe refuzimi për të marrë pjesë në këtë samit nga ana e presidentit të Kosovës, duke e quajtur ftesën nga Sarajeva si “jokorrekte dhe denigruese”.

Në të njëjtin samit, vendet pjesëmarrëse të rajonit, pa Kosovën, arritën edhe disa marrëveshje, ndërkohë që vetëm një javë pas, Kosova mori kryesimin e këtij samiti.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo nismë rajonale e çfarëdo karakteri, duhet të përfshijë bashkërisht të gjitha shtetet të cilat synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, raportet e mira ndërfqinjësore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë parakusht që këto shtete të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.