Reagojnë edhe prindërit pas publikimit të fotos së nxënësve në Prizren me përshëndetje ushtarake

Reagojnë edhe prindërit pas publikimit të fotos së nxënësve në Prizren me përshëndetje ushtarake

21 October 2019 14:17

Ditëve të fundit, në media ka qarkulluar një fotografi ku shihet një person i rritur, i cili dyshohet të jetë mësues, dhe një grup fëmijësh në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

Ndaj këtij rasti ka reaguar Ministria e Arsimit, e cila ka thënë se shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Ndërkaq, reagim për këtë rast ka ardhur nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, i cili thotë se është duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar në opinion, pas publikimit fotografisë që ky këshill thotë se i takon shkollës fillore dhe të mesme të Ulët “Motrat Qiriazi” në Prizren.

Këshilli këtë veprim po e konsideron të papërgjegjshëm ndaj atyre që, siç thotë, “kanë manipuluar më nxënësit”.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon nga secili qytetarë, i cilësdo përkatësie etnike, që mos të manipulojnë me nxënësit për interesa çfarëdo qofshin ato. Nxënësit shkollën e kanë vend edukimi e arsimimi, asgjë më shumë”, ka theksuar KPK, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masat që i parasheh ligji.

MASHT-i ndërkaq ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

rida05/11/2019 17:15

Ky tipi mundet me qene edhe prind por me sa di ky ka qene i punesuar ne Zyren e BE-se në Prishtinë.

Arber05/11/2019 17:15

Po pse nuk po i dergoni inspektoret ne veri te mitrovices?! Po ne graçanicë qe është ne zemer te kosoves?

Shto koment

Të ngjashme