Mjedisi i rrezikuar Foto: Liridon Shala

Mjedisi i rrezikuar

Fisnik Minci 20 October 2019 11:20

Lumëbardhit të Prizrenit aktualisht nuk i përshtatet ky emër. Brigjet e tij diku kanë marrë ngjyrë të zezë shkaku i mbeturinave të shtresuara aty, e diku mbetjet e plastikës dhe të materialeve inerte i japin ngjyrë tjetër.

Ndërkohë ujërat e tij prej vitesh e kanë humbur kthjelltësinë e dikurshme, pasi krahas mbeturinave aty derdhen edhe ujërat e zeza. Kur nuk ka reshje atmosferike edhe kundërmon, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa të reshurat në vjeshtë ndihmojnë që të ‘lahet’ pjesërisht turpi njerëzor. Gjendja aktuale e Lumbardhit është vetëm njëri prej treguesve të degradimit mjedisor në këtë anë. Moskujdesi i faktorit njeri ndaj lumit, është i përhapur gjithandej nëpër natyrë.

Një konstatim të tillë e mbështet Liridon Shala nga Prizreni, i cili kohën e tij të lirë e kalon në natyrë, duke fotografuar botën e egër dhe peizazhet natyrore.

“Në muajin maj të vitit të kaluar e pata fotografuar një shpend (bishtlëkundësi i Malit) që qëndronte mbi një degë në shtratin e Lumbardhit, në afërsi të parkut të Marashit. Por nga mbeturinat përreth mezi dallohej zogu. Dje isha përsëri në atë zonë dhe gjendja me mbeturina në lumë ishte pothuajse e njëjtë”, ka thënë Shala.

Ai thekson se mbeturinat e ndryshme dhe derdhja e ujërave të zeza gradualisht po e shkatërrojnë florën dhe faunën.

“Degradimi mjedisor nuk haset vetëm në Lumbardh. Kudo që dal në natyrë me familjen hasi në mbeturina. Duke qenë se merrem me fotografimin e botës së egër dhe të peizazheve ky degradim tani po më pengon edhe më shumë, sidomos mbeturinat e plastikës”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, vendet që shfrytëzohen për piknik në zonat rurale e malore janë përplot mbeturina.

“Gjithashtu mund të vërehen pasojat negative të prerjes ilegale të drunjve. Ndërkaq zjarret janë një problem tjetër serioz që kanë ndikim të rëndë te shpendët dhe kafshët”, është shprehur Shala.

Ndërkaq Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” vlerëson se mjedisi gjatë viteve nuk ka pasur vëmendjen e duhur të komunitetit dhe të institucioneve. Si rrjedhojë, zhvillimi i pasluftës, sipas tij, është bërë në kurriz të natyrës, duke sjellë degradimin e mjedisit....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme