Prokuroria e pranon raportin zviceran për “Rastin Dehari”, thotë se nuk është hapur ende

Arbnora Luta Arbnora Luta 17 October 2019 13:07
19:14

Disa ditë pas pretendimeve të avokatit Tomë Gashi se Ministria e Drejtësisë e ka pranuar raportin e ekspertizës për vdekjen e Astrit Deharit nga Instituti Zviceran, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se raportin e pranoi këtë të enjte.

Për të dëshmuar këtë, kryeprokoruri i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, doli para gazetarëve me një zarf të mbyllur, për të cilin tha se arriti të mërkurën në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë.

Shala ka thënë se Prokuroria ia ka dorëzuar Institutit të gjitha materialet e kërkuara për këtë rast.

Por, avokati dhe familja e Deharit kanë kërkuar nga prokuroria që t’ua dorëzojë raportin origjinal.


Ndërkohë, deklaratat e Gashit se Ministria e Drejtësisë e ka pranuar ekspertizën, i kishte mohuar ministri në largim, Abelard Tahiri, duke i quajtur tendencioze.

Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, nën dyshimin se bashkë me aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes e sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë kishte vlerësuar se Dehari kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit, të cilët më pas kërkuan hetim ndërkombëtar.

13:07

Prokurori i Shtetit: Raporti për Deharin publikohet sapo të përkthehet në shqip

Prokurori i Shtetit përmes një kumtese për media njofton se raporti i ekzaminimit për rastin e Astrit Deharit, do t’i dërgohet familjes së tij dhe do të bëhet publik për media sapo të përkthehet në gjuhën shqipe, sepse tani është në gjuhën origjinale, atë zvicerane.

“Sot me datë 17 tetor 2019, nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit. Për hir të informimit të drejtë, Prokurori i Shtetit me të pranuar këtë raport, do ta dërgoj atë për përkthim në gjuhën shqipe, pasi që ky raport është pranuar në një nga gjuhët zyrtare të shtetit të Zvicrës, dhe në momentin që raporti të përkthehet dhe analizohet nga prokurori i rastit, konform dispozitave ligjore do t’i dërgohet avokatit të familjes Dehari, si dhe do të bëhet publik për opinionin”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

LEXO EDHE: Në Kosovë ka arritur raporti për vdekjen e Deharit, zarfi është ende i mbyllur

Deri në përkthimin e tërësishëm të këtij raporti në gjuhën shqipe, thuhet në kumtesë, Prokurori i Shtetit bën thirrje që me përmbajtje dhe profesionalizëm të pritet publikimi dhe rezultati i tij.

“Prokurori i Shtetit do të iu njoftoj me kohë për datën dhe orën e publikimit të raportit në fjalë”, thuhet tutje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme