Arbëri

Mustafa: Po vazhdojnë takimet LDK-VV për harmonizim të programit qeverisës

Foto: LDK

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është takuar sot me Ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel.

Sipas njoftimit të LDK-së, Ambasadorja Butel e ka përshëndetur procesin e rregullt zgjedhor dhe ka uruar Mustafën për rezultatin e LDK-së.

Mustafa ndërkaq thuhet ta ketë njoftuar Butelin për qëndrimin e LDK-së drejt një programi të përbashkët qeverisës LDK – LVV të përqendruar tek shtyllat kyçe si dialogu Kosovë – Serbi, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe zhvillimit të arsimit, shëndetësi dhe ekonomisë.

Ndërkaq, gjatë ditës Mustafa është takuar edhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, i cili shoqërohej nga Samuel Paice, Kryesues i Departamentit Politik në Ambasadën e MB-së.

Image

Ambasadori Abbott shprehu interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e procesit të dialogut Kosovë - Serbi.

Mustafa thuhet ta ketë njoftuar Abbottin për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.

“LDK-ja, në Qeverinë e ardhshme, do të përqendrohet në funksionalizimin e shtetit ligjor, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Mustafa.

Poashtu, Mustafa, duke falënderuar Ambasadorin Abbott për përkrahjen e shtetit të tij ndaj Kosovës në të gjitha sferat, potencoi domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit Kosovë – Mbretëri e Bashkuar.