Arbëri

Palmer anulon pjesëmarrjen në Forumin e Sigurisë në Beograd, e çon zëvendësin

Descriptive Text

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin e Sigurisë në Beograd (BSF), i cili do të mbahet nga data 16 deri më 18 tetor.

Palmer ishte paralajmëruar se do t’u drejtohej pjesëmarrësve me rastin e hapjes zyrtare të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten, më 17 tetor, me temën “Zgjidhja e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor”.

Koha Ditore ka pyetur Forumin e Sigurisë se pse Palmer ka hequr dorë nga pjesëmarrja. Sipas tyre, ai nuk ka dhënë ndonjë arsye specifike.

“S’ka arsye. Ne thjesht jemi informuar se ai nuk do të vijë dhe se do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij”, ka thënë Marko Savkoviq, drejtor i Programit në Forumin e Sigurisë. Zëvendës i Palmerit është David Kostelancik.

Në hapjen zyrtare, siç është paralajmëruar nga organizatori, do të flasë diplomatja gjermane e ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, Suzanne Schutz, ish-përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Sigurisë të BE-së, Catherine Ashton, si dhe ish-ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni.

Normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë diskutimi në edicionin e sivjetmë të Forumit.

Edicionet e kaluara kanë qenë ftuar zyrtarë, deputetë të parlamenteve nga Kosova e Serbia, për të folur rreth dialogut dhe normalizimit. Por sivjet organizatori ka vendosur të mos i ftojë ata. Drejtori i Programit në BSF, Savkoviq, ka thënë se “duke parë rezultatet e dobëta të palëve negociuese morëm vendim që të mos u jepet hapësirë politikanëve, por t'i ftojmë ekspertët që merren me këtë çështje”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)