Arbëri

ASHNA hap tender për televizorë, pritet t’i investojë mbi 20 mijë euro të buxhetit

Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror ka hapur tender për blerjen e 14 televizorëve ultra HD. Për ta, kjo agjenci pritet t’i ndajë mbi 20 mijë euro. ASHNA thotë se këta TV-monitorë do të vendosen në departamente të ndryshme.

Mbi 20 mijë euro pritet t’i investojë Agjencia e Shërbimit të Nagivimit Ajror për blerjen e televizorëve LED Ultra HD.

Në tenderin e hapur nga ASHNA ditë më parë, ky institucion pritet të furnizohet me 14 televizorë TV LED, raporton KTV.

Përmes këtij tenderi, nga ofertuesi kërkohet që të sigurojë se pajisjet do të jenë origjinale dhe për këtë të ketë dokumentet nga prodhuesi.

Vlera totale e parashikuar e kësaj kontrate do të jetë 21 e 500 euro.

E njëri nga 14 TV-monitorët që pritet të blihen do të vendoset në Departamentin e Meteorologjisë.

Vendosja e një monitori të tillë, i cili afërsisht kësaj agjencie do t’i kushtojë rreth 1,500 euro, sipas zyrtarëve të këtij departamenti, do të digjitalizojë procesin e monitorimit meteorologjik .

Paratë për blerjen e këtyre televizorëve, sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, do të ndahen nga mjetet për investimet kapitale.

Dy vjet më parë, kjo agjenci kishte blerë një TV LED, vlera e të cilit ishte mbi 9 mijë euro, derisa operatori i cili e kishte fituar tenderin për këtë kishte ofruar çmimin prej gati 2 mijë euro më shumë sesa vlera e paraparë.