Mustafa: Komuniteti LGBTI ende has në barriera për ta ndryshuar gjininë

Mustafa: Komuniteti LGBTI ende has në barriera për ta ndryshuar gjininë

10 October 2019 17:37

Lend Mustafa, nga Qendra për Barazi dhe Liri, ka folur rreth Paradës së Krenarisë që u mbajt sot në sheshin e kryeqytetit për herë të tretë.

Ai tha se parada e sotme kaloi mirë dhe pa incidente, e gjithashtu, numri i pjesëmarrësve është rritur.

“Kemi siguri shumë të madhe, por kemi një lloj droje, kemi pasë prani të shtuar të sigurisë sepse duam më shumë siguri”, tha ai në Express Intervistën në KTV.

Ai tha se më herët ka pasur frikë tek ky komunitet që të mos dalin e deklarohen publikisht, ndërsa sot, në paradën e tretë në Kosovë, kanë dalë më shumë pa maska e pa u fshehur.

Mustafa thotë se i gëzon përkrahja e ndërkombëtarëve, por sot, në këtë Paradë, s’kanë parë shumë fytyra të njohura të vendorëve.

“Ndërkombëtarët i kemi tashmë përkrahës. Kam pritur që fytyrat tona specifike të vijnë më shumë, por s’kam parë shumë fytyra të tilla publike”, tha ai.

Mustafa, tha se komentet e këqija ndaj tyre vijnë prej njerëzve që s’vijnë nga komuniteti LGBTI.

“Kjo Paradë është mënyrë e të dalurit hapur, të qenit krenarë se kush jemi ne”, tha ai, duke shtuar se në LGBTi, ka njerëz që, siç u shpreh ai, “u shkon jeta duke u fshehur se kush janë”.

Ai shtoi se do të dalin përsëri në paradë të tillë vetëm për të kërkuar më shumë liri.

Ka folur edhe për partinë FJALA që ka bërë thirrje që komuniteti LGBTI të mos përkrahen.

“Është parti politike me orientim fetar, kjo parti nuk i di ligjet e Kosovës e as Kushtetutës. Ne i kemi të drejtat tona. Kjo parti duhet të ketë argument të qartë, është parti që bazohet në libra që nuk ekzistojnë më”, tha Mustafa.

Në aspektin legjislativ, sipas Mustafës, ka pasur ndryshime. Kodi civili thotë se është në proces, pra ku përfshihen martesat me gjini të njëjtë.

Mustafa thotë se hasin ende në barriera për të ndryshuar gjininë.

“Edhe shumë transgjinorë tjerë kanë probleme në Kosovë për ndryshimin e seksit, nuk kemi as sigurime shëndetësore, krahasuar me vendet në rajon”, tha ai.

Ndryshimi i gjinisë, sipas Mustafës, është rreth 25 mijë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme