Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili sot, bashkë me Vjosa Osmanin pati një takim me Albin Kurtin në lidhje me marrëveshjen e pritshme për bashkëqeverisje në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të qartë se "Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së".
Në vazhdim postimi i plotë i Isa Mustafës
Të nderuar qytetarë
U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje. Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM
Koha.net rikujton se liderët e këtyre dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit janë pajtuar për bashkëqeverisje, ndërsa për hollësitë e marrëveshjes do të vendoset në takimet e ardhshme.