Arbëri

105 të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë pas tërmeteve në Shqipëri

Tërmetet që prekën Shqipërinë përveç dëmeve materiale, lanë edhe shumë persona të plagosur.

Në total janë trajtuar 105 qytetarë me fraktura dhe dëmtime për shkak të tërmetit.

Aktualisht tek spitali i Traumës janë 7 persona nën mbikëqyrje dhe që po marrin trajtim, 3 paraqiten në gjendje më serioze.

Të plagosurit e kanë marr ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës, spitalin rajonal të Durrësit dhe QSUT.

Në Durrës janë 3 persona që po mbahen nën mbikëqyrje nga personeli mjekësor.

Lidhur me situatën e krijuar pas tërmeteve ka reaguar edhe eurodeputeti Johannes Hahn.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, Komisioneri për Zgjerim, Hahn, shkruan se është i trishtuar dhe shqetësuar nga seria e tërmeteve shkatërruese, të cilat lanë me qindra të lënduar dhe dëme serioze në infrastrukturë.

“I trishtuar dhe i shqetësuar të mësoja për lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit në Shqipëri të cilat kanë lënduar më shumë se 100 persona dhe kanë shkaktuar dëme serioze për infrastrukturën. BE ofron menjëherë ndihmë përmes “EU Civil Protection Mechanism”, shkruan Hahn.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama pas mbledhjes në Ministrinë e Mbrojtjes ka nisur mbledhjen në Kryesinë e Kuvendit.

Ai ka kërkuar që të kontaktohen të gjithë njerëzit në zonat ku janë identifikuar dëmet.

“Duhet identifikuar qartësisht çdo çarje në pallate. Tërmetet nuk parashikohen, lëkundjet kanë ardhur duke u ulur. Për çdo familje të ketë një kontakt sot, të bëhet ndarje e punës. Kemi një fond solidariteti, po ecim sipas planit. Pas kësaj mbledhje do shkojmë në Durrës, i nevojshëm kontakti me familjet’, tha Rama.

E, në Durrës ka nisur zhvendosja e çadrave të ushtrisë nga aneksi i stadiumit ku u vendosën mëngjesin e sotëm brenda stadiumit ”Niko Dovana’ për të qenë më të kontrolluara për banorët që do të kalojnë natën jashtë, të pasigurt nga gjendja e banesave të tyre./Tch/