Arbëri

Osmani kërkon drejtësi në 21 vjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit

Me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëluftëtarë të kolonelit, ka kërkuar të shtunën drejtësi për zbardhjen e kësaj vrasje.

“Edhe sot pas 21 vitesh kërkojmë të zbardhet vrasja e kolonel Krasniqit, jo vetëm për faktin se mbetet plagë e hapur për familjen e kolonelit, por për shkak se është plagë e hapur për të gjithë ne dhe për shtetin e Kosovës. Asnjëherë nuk kërkojmë hakmarrje, por gjithmonë jemi në kërkim të drejtësisë”, tha Osmani.

“Sot 21 vite më parë, është vrarë pabesisht në Tiranë kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Një atdhetar i shquar dhe një strateg ushtarak i pashoq, i cili kishte vizionin dhe përgatitjen profesionale, e mbi të gjitha atdhedashurinë, për të mbledhur rreth vetes njerëzit më të mirë të këtij vendi, për të organizuar luftën çlirimtare për Republikën e Kosovës”, shtoi Osmani.

Nënkryetarja e LDK-së tha se kolonel Krasniqi punoi me shumë shokë të tij, disa prej të cilëve janë këtu me ne, dhe e njohu si komandant suprem Presidentin histori Ibrahim Rugova, për të ndërtuar celulat e para të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, por fatkeqësisht u vra nga njerëz që ishin kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.