Betim Musliu nga IKD ka thënë se qeveria Haradinaj është qeveria më skandaloze që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Ai tutje ka shtuar se i pari i AAK-së në vazhdimësi po e përdorë taksën për të marrë vota.
“Taksa 100% është pjesë e populizmit të Haradinajt. Unë mendoj që Haradinaj nuk i ka mbërri krejt ato që e ka synu. Unë e kam parasysh planin e tij për sistemin e drejtësisë të cilin vetë e ka bërë, e pastaj ka dal kundër tij”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.
Ndërkaq analisti Agon Maliqi ka thënë se Haradinaj u mundua që përmes taksës t’i fshehë skandalet e qeverisjes së tij.
Sipas tij, Haradinaj nuk është në garë për vendin e parë, derisa shton se pas zgjedhjeve mund të pajtohet me heqjen e taksës.
“Haradinaj ka pasur një akumulim të skandaleve që u mundua të fshihet me çështjen e taksës. Mendoj që taksa ka pasur efekt pozitiv për partinë por brenda disa përqindjeve të kufizuara. Haradinaj nuk është në garë për vendin e parë. AAK ka arritur vota klienteliste, shumë nisma që i ka pasur i ka pasur në modelin tipik klientelistë. Unë e kam një dilemë se si Haradinaj dha dorëheqje, e pastaj pas dy javëve u kandidua përsëri për kryeministër. Tash po shihen që motivet paskan qenë tjera”, ka thënë ai.
Redaktorja përgjegjëse e gazetës Koha Ditore, Brikenda Rexhepi, ka thënë se taksa 100% do ta ketë fatin e demarkacionit.
Sipas saj, Haradinaj posa morri pushtetin kishte harruar demarkacionin, derisa shton se taksën po e përdorë për vota.
“Haradinaj ka qenë kështu edhe zgjedhjet e kaluara për demarkacionin, dhe posa e mori pushtetin e harroi demarkacionin. Unë mendoj që të njëjtin fat do ta ketë edhe taksa, sepse i nevojitet që tash të ketë më shumë vota. E din edhe ai që nuk do të jetë i pari dhe do të jetë i hapur për koalicione dhe nëse partneri i tij do të heq taksën ai do të thotë që s’ka qenë vendim i tij. I kam shikuar 100 pikat e tij dhe janë shumë të përgjithësuara dhe duken si fontanë dëshirash”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Ismet Kryeziu nga KDI ka thënë se në qeverisjen e Haradinajt janë miratuar ligje të cilat nuk janë miratuar për 20 vjet me radhë.
“Un mendoj që vendimin e dorëheqjes e ka dhënë edhe për hir të skenës politike. Ka shumë vendime që janë marrë nga qeverisja Haradinaj e nuk janë përfunduar nga qeverisjet tjera. Unë mendoj që shumë ligje që nuk janë bërë në qeverisjet e kaluara, është Ligji i Pagave, Ligji për Prishtinën e ligje të tjera”, ka thënë ai.