Maliqi: Fushatë lideriste dhe nivel i ulët debatues

Musliu: Partitë e premtojnë vetingun por nuk e dinë se si ta bëjnë

20 September 2019 20:14
20:59

Betim Musliu nga IKD në Rubikon të KTV-së foli për procesin e vetingut, proces ky i cili tashmë është në programin e PDK-së dhe VV-së mirëpo, siç tha ai, nuk qartësohet nga partitë saktë se si do ta bëjnë atë.

Sipas tij, më shumë shfaqet si premtim që do ta bëjnë mirëpo, sipas tij, “nuk e din se ku fillon e ku mbaron”.

“Ajo çka e kam parë te PDK-ja dhe VV-ja është se nuk e kanë qartësinë se qysh të bëhet vetingu dhe nëse prapa vetingut qëndron një qëllim që m’i ndërru njerëzit të cilët janë tash përgjegjës për këtë mungesë në rezultatet për luftën kundër krimit, për m’i sjellë njerëzit e vet, atëherë ajo nuk është asgjë”, ka thënë ai.

“Vetignun nëse duan ta bëjnë seriozisht duhet me pasë një program që e qartësojnë para publikut se nuk e kanë qëllim me ndërru njerëz për me sjellë njerëz të vetë”.


Musliu: Strategjia e partive për përfaqësimin në debate vetëm me qëllim balotesjen e tjetrit

Tutje, Musliu ka folur edhe për përfaqësimin e partive politike në debate televizive.

“Zhurma është ajo që po dominon dhe mungesa e programeve politike po i sjellë ata që janë më militantë të partive politike në debate televizive”, ka thënë Musliu.

Duke folur për strategjinë e Vetëvendosjes që në debate të çojë aderimet e reja, Musliu ka thënë se “ata kanë qenë viktimat e para përball atyre që më parë kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes dhe në këtë rast shquhet Dardan Molliqaj”.

“Jo vetëm Molliqaj po një numër i madh i të përfaqësuesve të partive politike po shkojnë thjeshtë të barrikaduar më disa qëndrime, me akuza që për qëllim kanë vetëm baltosjen e secilit prej përfaqësuesve që është pjesë e atij debati”, ka thënë Musliu.

20:31

Rexhepi: LDK po mundohet të shpëtojë përmes Vjosa Osmanit

Brikenda Rexhepi, redaktore përgjegjëse në gazetën Koha Ditore, ka thënë se nominimi i Vjosa Osmanit për kryeministre, paraqet përpjekje të LDK-së karshi pozicionit të cilin ata e kishin vendosur partinë në qeverinë kur patën bërë koalicion me PDK-në.

“Brenda zëri i Vjosës u pat margjinalizuar pothuajse plotësisht kohëve të fundit dhe unë mendoj që dalja e saj si kandidate tash më shumë e paraqet një përpjekje të LDK-së karshi pozicionit të cilin ata e patën vendosur partinë në qeverinë e parë dhe tretë kur patën bërë koalicion me PDK-në dhe ia patën mundësuar Thaçit të zgjidhet kryetar i vendit", ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.

Ajo tutje e ka kritikuar nivelin e debateve parazgjedhore të cilat po zhvillohen mes kandidatëve për deputetë.

Ajo thotë se niveli i këtyre debateve ka rënë derisa shton se më shumë po iu ngjajnë shfaqjeve.

Duke folur për programet qeverisëse, Rexhepi thotë se partitë politike nuk e kanë shpalosë programin, përveç Vetëvendosjes.

“E kemi AAK-në e cila i ka publikuar disa fotografi të 100 pikave të Haradinajt. E kemi Kadri Veselin i cili nuk po del në media në debate por është jashtëzakonisht aktiv në terren Ai është përqendruar tek korrupsioni e nepotizmi, një temë e cila ka qenë problem pikërisht në kohën kur ka qenë në pushtet kjo parti. Ndërkaq Vjosa Osmani është një figurë e cila po përpiqet të tregoj se do të kujdeset për vendin. Vjosa si figurë nuk e paraqet një stabilitet të partisë që e ka kandiduar atë dhe është vështirë të thuhet se ajo e ka fituar betejën brenda partisë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje shton se nga Fatmir Limaj nuk ka parë shumë aktivitet, derisa shton se Nisma dhe AKR gjatë këtij mandati nuk janë dëshmuar për një qeverisje të mirë në sektorët të cilët i kanë pasur nën udhëheqje.

Ndërkaq drejtori i KDI-së Ismet Kryeziu ka thënë se nominimi i Vjosa Osmanit, është vlerë demokratike brenda LDK-së.

“Përkundrazi për mua është vlerë demokratike që brenda partisë ka pasur një garë dhe ka arritur të del një kandidat”, ka thënë ajo.

Image

Maliqi: Vjosa Osmani nuk do të hynte në garë po të mos kishte fuqi

“Te Vjosa Osmani duhet të pajtohem që ka megjithatë një fuqi, fakti që është nominuar, është nominu për një arsye”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, nëse ka ditur t’ rezistojë partisë në kohërat e opozitës, ajo nuk do të futej në këtë garë pa kurrfarë fuqie.

“Vendimi për ta nominuar atë ka qenë konsesual dhe tani do të testohet ai konsesus pas zgjedhje dhe Isa Mustafa e ka rolin kyç në këtë situatë”, ka thënë ai.

“Nuk mendoj që Vjosa Osmani nuk do të jetë dikush që, sidomos nëse fiton dhe e ka edhe elektoratin e partisë prapa vetes, nuk mund t’i thotë dikush tash t’i s’vetesh mirëpo do të jetë vendim i partisë, njësoj sic është nominuar”.

Image
20:21

Sipas Kryeziut, PDK bën diferencë në orientimin e fushatës te lideri

Drejtori i KDI-së dhe analisti politik, Ismet Kryeziu, ka thënë se thotë se mesazhet që po japin partitë në parafushatë janë të paqarta.

“Ka disa sllogane që nuk japin shumë mesazh në vetën e tyre. Mendoj që është një risi nominimi i kandidatëve për kryeministër, ndonëse është bërë në vitin 2017 por atëherë kemi pasur më shumë koalicione”, ka thënë Kryeziu, në Rubikon të KTV-së.

Ai ka thënë se PDK-ja e ka një diferencë në orientimin e fushatës së liderit.

“Përderisa është parë në takime në fshatra lideri i partisë nuk është parë shumë në media ndërsa kandidatët tjerë shihet që e kanë të orientuar fushatën të lideri i partisë”, ka thënë Kryeziu.

Image
20:14

Maliqi: Fushatë lideriste dhe nivel i ulët debatues

Fushata zgjedhore, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht, sipas opinionistit Agon Maliqi, është përqëndruar në kreun e partisë dhe është krejtësisht lideriste.

“Të gjitha partitë e kanë një fushatë lideriste, me liderin në qendër, e kanë liderin asetin kryesor. Vetëvendosje shembull me Albin Kurtin edhe pas përçarjes, mbetet figura më popullore. Vjosa Osmani vjen të LDK-ja si një figurë e re mirëpo e njohur për publikun. E shohim në qendër edhe vizualisht me slloganin ‘Me Vjosën’”, ka thënë Maliqi.

Tutje ai përmendi edhe fushatën e Haradinajt me citatet dhe foton e tij.

“Po mundohen ta paraqesin një lloj qëndrueshmërie të Ramush Haradinaj ndaj Serbisë, në raport me presionin ndërkombëtar, ai guximi i tij”.

“Mesazhi sikur ka filluar të humbas shumë shpejt në këtë fushatë. Ka mesazhe, fushata ka filluar me sllogane e të gjitha mirëpo ka pasur aq shumë intesistet në javët e para me debate, edhe mediet një hiper prezencë e debateve dhe prezentimeve, jo vetëm sasia e debateve por ajo që po flitet në ato debate”, ka thënë Maliqi.

Ai ka thënë se skena politike asnjëherë nuk ka qenë më konfuze dhe si qytetar nuk mund ta vlerësoj saktë se kush për cka qëndron dhe cilat janë ofertat e partive.

Njëjtë Maliqi tha edhe për aderimet. Sipas tij, ka aderime të figurave publike të cilët, sic tha “nuk janë ngjitur mirë”, meqë duhet të mbrojnë nëj historik të partisë në të cilën nuk kanë qenë më herët.

“Është mish mash prej kush cka përfaqëson”.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme