Arbëri

Kërkohet aktivizim masiv qytetar për aksionin global të pastrimit që e udhëheq Kosova

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me drejtorin e Let’s Do It Kosova Luan Hasanaj dhe Heidi Solba nga Let's Do It World, kanë mbajtur konferencë për medie, një ditë para aksionit global të pastrimit të tokës që këtë vit udhëhiqet nga Kosova.

Në këtë konferencë Matoshi ka deklaruar që është nder i veçantë që falë punës së palodhshme të mijëra vullnetarëve, organizimit të mirë dhe përkrahjes institucionale që kemi dhënë vitin e kaluar për pastrimin e Kosovës, shteti ynë Kosova po koordinon fushatën globale të pastrimit në mbi 150 shtete të botës.

“Aksioni i nesërm është një shembull i mirë që ne si shtet i ri do t’i japim botës së civilizuar që ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët”, deklaroi Matoshi.

Ai tha po ashtu se ndotja e mjedisit është problem global me të cilin ballafaqohen të gjitha shtetet e botës, disa me shume e disa me pak, e përderisa kemi sfidat e përbashkëta edhe lufta jonë duhet të jetë e përbashkët. Edhe fondet globale për mbrojtjen e mjedisit duhet të jena të përbashkëta.

“Nga shteti jonë i ri, i bëjmë thirrje të gjitha shteteve, vullnetarëve anë e kënd botës që nesër të gjithë te jemi bashkë, për një qëllim dhe një kauze, përtej dallimeve tona, etnike, racore fetare e politike, për të ruajtur planetin tonë, shëndetin tonë dhe të gjeneratave që vijnë”, përfundoi Matoshi.