Që nga themelimi, Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka pasur pak studentë si Shqipdona Lahu, e cila ka përfunduar studimet me notë maksimale.
Por, gjashtë vjet studime me suksesin më të lartë të mundshëm, nuk kanë mjaftuar që ajo të zgjidhet asistente e jashtme në asnjërën nga tri lëndët ku ka aplikuar në këtë fakultet, raporton KTV.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVendimin e Këshillit të Fakultetit, Lahu e quan skandaloz, pasi thotë se për këto pozita janë zgjedhur kandidatë me notë mesatare më të ulët se ajo.
Përveç përzgjedhjes, Lahu thotë se parregullsi ka pasur edhe në mënyrën e raportimit për arsyet e pranimit apo mospranimit të kandidatëve.
Ndonëse ka pasur sukses të rrallë, Lahu ankohet se asnjëherë nuk është vlerësuar as nga Dekanati e as nga Rektorati.
Mirëpo, Lahu ka vendosur që ta lërë Kosovën, pasi kapaciteti i saj intelektual është vlerësuar në një fakultet në Gjermani, i cili e ka pranuar atë për studimet e doktoraturës.
Studentja shpreson që reagimi i saj të ketë ndikim në mospërsëritjen e rasteve të tilla.
Dekanja e këtij fakulteti Suzana Manxhuka-Kërliu nuk ka pranuar të flas për Kohavisionin lidhur me këtë rast. Mirëpo, asistentja e saj ka thënë se dekanja ka deklaruar se procesi i rekrutimit të asistentëve për këto lëndë ende nuk ka përfunduar.
Pyetjeve me shkrim të televizionit nuk u është përgjigjur as Rektorati i Universitetit të Prishtinës, derisa rektori Marjan Dema ka qenë i paqasshëm gjatë së enjtes.