Arbëri

Policia realizon pilotprojektin për vendosjen e shenjave të trafikut

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, kanë filluar pilotprojektin e vendosjes së shenjave të trafikut, të cilat paralajmërojnë shoferët për kontrollin e shpejtësisë me radar nga njësitë policore të trafikut, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Vendosja e këtyre shenjave fillimisht është realizuar në rajonin e Gjilanit, konkretisht në rrugët Gjilan - Prishtinë dhe Gjilan – Ferizaj, ku pas përfundimit të pilot projektit do të bëhen vlerësime profesionale për efektin e këtij projekti në vetëdijesimin e pjesëmarrësve dhe reduktimin e kundërvajtjeve apo aksidenteve në trafik, pastaj do të vazhdohet edhe në rrugët tjera në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Shenja është dizajnuar në atë mënyrë që të duket e thjeshtë dhe e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.