Arbëri

Gjuriq takon shefin e UNMIK-ut, ripërsërit “pozitën e rëndë” të popullit serb në Kosovë

Beograd, 18 shtator - Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka shfaqur sot shpresën se zgjedhjet në Kosovë do të kalojnë në një atmosferë "sado kudo" demokratike, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, dhe se popullit serb do t'i garantohet e drejta të zgjedhë lirishëm përfaqësuesit e vet në institucionet e Prishtinës, siç e quan Beogradi zyrtar Republikën e Kosovës.

Këto komente, siç raporton agjencia serbe e lajmeve FoNet ai i bëri gjatë takimit me shefin e UNMIK-ut Zahir Tanini, transmeton Koha.net.

Ata, sipas këtij burimi biseduan në lidhje me situatën politike e të sigurisë në Kosovë, si dhe për raportin e UNMIK-ut për Kosovën, që po përgatitet për Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Siç është shprehur Gjuriq, Serbia e konsideron të pashmangshme rolin e OKB-së në procesin e zgjidhjes së raporteve midis Beogradit e Prishtinës, të cilat sipas tij janë në radhë të parë çështje të brendshme të Serbisë, me elemente të përzierjes nga jashtë.

Siç citohet Gjuriq, dialogu nën ombrellën e OKB është mbajtur në bazë të mandatit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB dhe se kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet, përkatësisht 2.341 ditë, që nga mospërmbushja e detyrimit kryesor të Prishtinës për formimin e Bashkësisë (Asociacionit) të Komunave Serbe, ndërsa BE-ja nuk siguroi zbatimin e kësaj marrëveshjeje, për çka Serbia e ka informuar shumë herë Këshillin e Sigurimit.

Duke analizuar pozitën e popullit serb në Kosovë, Gjuriq u shpreh se pret që në këtë raport do të konstatohet se të drejtat njerëzore e politike të serbëve kanë pësuar regres pas vendosjes së taksës, siç e ka quajtur ai, anticivilizuese nga Prishtina për mallrat nga Serbia.

si përherë në këso rastesh, nuk ka lëshuar rastin pa "alarmuar" për provokimet gjithnjë e më të shpeshta dhe sulmet nga ekstremistët shqiptarë ndaj pjesëtarëve të popullit serb, për çka nuk ka pasur reagime të mjaftueshme dhe të vendosura të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare , e cila ka ndikimin më të madh në terren.

Ai edhe me këtë rast e ka falënderuar Taninin për kontributin personal në përparimin e pozitës së popullit serb në Kosovë dhe për angazhimin konsekuent të UNMIK-ut për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe të kornizës së paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB', citohet komunikata, transmeton Koha.net.