Arbëri

Lluka: Minatorët duhet të kenë sigurim shëndetësor të përjetshëm

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar “Trepçën” me ç’rast ka parë nga afër punën e rëndë të minatorëve.

Ai me këtë rast ka njoftuar minatorët e “Trepçës”, se Ligji për Minatorët ka filluar para 4 muajve, i iniciuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, dhe se mbetet që në mandatin e ardhshëm të përfundojë kjo çështje e premtuar në dy dekadat e fundit, transmeton kp. 

“I dëgjova të gjithë për ankesat dhe kushtet që kishin. Nuk mundet që një 65- vjeçar të punojë në ato kushte, andaj pensionimi duhet të bëhet në moshën 55-vjeçare. Minatorët duhet të kenë sigurim shëndetësor të përjetshëm”, ka shtuar Lluka.

Sa i këtyre kërkesave të minatorëve për kushte më të mira si dhe për sigurime shëndetësore, ai është zotuar para minatorëve se do të angazhohet në zhvillimin e ndërmarrjes “Trepça”, në mënyrë që minatorët të gëzojnë sigurim shëndetësor pasi që puna në një thellësi nëntokësore 760 metra ua dëmton shëndetin.

Duke ditur se “Trepça” është një pasuri pafund nëntokësore e Kosovës, Lluka shtoi se "Trepça" do të jetë prioritet i dikasterit të cilin e drejton, në mënyrë që kjo minierë të jetë ndër kontribuuesit kryesorë për zhvillimin ekonomik të vendit.