Arbëri

Pacolli pranon kredencialet nga ambasadorja e re e Kroacisë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, ka pritur në takim ambasadoren e re të Kroacisë në Republikën e Kosovës, Daniela Barishiq, duke i shprehur mirëseardhje në Kosovë, me ç’rast ka pranuar letrat kredenciale nga ajo, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në fillim të takimit ministri i uroi detyrën e re Ambasadores dhe shprehu pritje të sinqerta se marrëdhëniet e zhvilluara dhe të larta të deritanishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë do të vazhdojnë në të ardhmen me dinamikë të përforcuar.

“Në takim të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Pacolli vuri në dukje marrëdhënien bilaterale dhe partneritetin strategjik në mes dy vendeve dhe dy popujve”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjatë takimit, ministri Pacolli, i ka konfirmuar vullnetin e Republikës së Kosovë, për thellimin e mëtejmë të raporteve miqësore ndërmjet dy vendeve. ​

Edhe Ambasadorja Barishiq nënvizoi se marrëdhëniet shumëdekadeshe të mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet të dyja shteteve dhe raportet e afërta ndërmjet qytetarëve tanë, paraqesin kapital dhe investim të madh në të ardhmen.