Shthurja e shëndetësisë nuk u shërua nga dialogu i Brukselit Foto: Koha

Shthurja e shëndetësisë nuk u shërua nga dialogu i Brukselit

Fitim Gashi Fitim Gashi 18 September 2019 07:14

Ismet L. (56) as që kishte imagjinuar ndonjëherë të hynte nën briskun e mjekëve në spitalin e Mitrovicës së veriut, i cili funksionon jashtë sistemit të Kosovës. Mendjen ia kishin thyer dy kirurgët serbë të Klinikës së Oftalmologjisë, të cilëve para një viti Ismeti u kishte ofruar shërbime taksie nga jugu në veri.

“Teksa po i dërgoja në veri, dy mjekët serbë - një burrë dhe një grua më pyetëm për bengun që kam pasur afër syrit. Ka qenë goxha i rritur. Më thanë pse nuk vjen me ta largu. Mbeta i habitur se as që m'ka shku mendja naj here me u mjeku në spitalin e veriut”, thotë Ismeti, i cili punon taksist në zonën që lidh Mitrovicën e ndarë administrativisht, në “Lagjen e Boshnjakëve”. Të nesërmen kishte shkuar në spital dhe pas analizave, thotë se iu nënshtrua me sukses operimit.

Ka edhe hallexhi të tjerë shqiptarë që taksisti nga Mitrovica thotë se i ka dërguar drejt spitalit, i cili numëron rreth 1.000 punonjës shëndetësorë, por nuk punon asnjë mjek shqiptar.

Ata të cilët kanë punuar deri në vitin 1999 janë larguar prej qendrës kryesore spitalore në veri, e cila financohet nga Beogradi. Shëndetësia, sikurse edhe shumë sektorë të tjerë në veri, vazhdon të funksionojë e ndarë dhe jashtë sistemit kosovar.

Spitali ofron shërbime falas për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët janë të pajisur me kartela shëndetësore nga Qeveria e Serbisë. Derisa Kosova ende nuk aplikon sigurim shëndetësor, në veri ekziston një Zyrë e Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Republikës së Serbisë, me zyra në Prilluzhë, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në këtë komunë ekziston edhe poliklinika, e cila ofron shërbime shëndetësore për studentët e kësaj pjese. Në “Kodrën e Minatorëve”, ku jetojnë serbë dhe shqiptarë, shërbimet ofrohen nga një qendër shëndetësore, ku një doktor dhe dy motra mjekësore punojnë rregullisht, derisa pediatri ka vizita një herë në javë.

Ligji për shëndetësinë nuk zbatohet në veri

Deri tani kanë rezultuar të dështuara përpjekjet e Prishtinës zyrtare për ta integruar sistemin shëndetësor brenda Kosovës. Për pasojë, në komunat Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok ende nuk ka gjetur zbatim Ligji për shëndetësinë.

“Për shkak të specifikave që i ka kjo pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, sikurse edhe ligjet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, edhe Ligji për shëndetësi ka një shtrirje apo zbatim të kufizuar. Zbatohet në zonat ku jetojnë shqiptarët dhe komunitetet e tjera joserbe, derisa shumë më pak në pjesët e banuara nga serbët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata kanë përmendur pengesat që po i bën Serbia sa i përket integrimit të spitalit kryesor në veri.

“Spitali Rajonal në veri të Mitrovicës ndan fatin e institucioneve të tjera që fizikisht ndodhen në veri, dhe për të cilat Serbia vazhdimisht ka ndikuar që të mos integrohen në sistemin e Kosovës. Pengesat që vijnë drejtpërdrejt nga Serbia lidhen me pagesat apo stimulimin financiar që atyre u bën Serbia, duke i urdhëruar dhe inkurajuar që të mos i njohin organet e Kosovës dhe që të mos raportojnë në këto organe, si dhe pengesa të natyrave të tjera”, kanë thënë në MSh.

Shërbimet shëndetësore primare dhe sekondare në veri të Kosovës ofrohen nga katër institucione - Qendra shëndetësore Mitrovicë e veriut, Shtëpia e Shëndetit Zveçan, Enti për shëndetësi publike dhe Barnatorja Mitrovicë.

Shërbimet primare ofrohen në shtëpitë e shëndetit në Mitrovicë, Leposaviq dhe Zubin-Potok, të cilat janë njësi organizative të Qendrës Shëndetësore Mitrovicë, ndërsa Shtëpia e shëndetit në Zveçan funksionon si institucion i pavarur. Ndihma emergjente mjekësore ofrohet si shërbim në Shtëpitë e shëndetit në Mitrovicë dhe Zveçan. Shtëpia e shëndetit në Mitrovicë ka ambulanca edhe në Banjskë, Zherovnicë, Suhadoll. Shtëpia e shëndetit në Leposaviq ka ambulanca në Leshak, Soçanicë, Bellobërdë, Vraçevë dhe Borçan, ndërsa ajo në Zubin-Potok ka rrjet të zhvilluar të ambulancave në dhjetë vendbanime.

Mbikëqyrja sanitare dhe shëndetësore në fushën e mbrojtjes së qytetarëve për tërë veriun e Kosovës kryhet nga Inspektorati sanitar i Serbisë me seli në Mitrovicë të veriut.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka fare pak aktivitet në kuptimin e inspektimeve. Po ashtu, ka mungesë informacioni përkitazi me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e shëndetësisë.

“Inspektime ka pasur nga ana e Inspektoratit Shëndetësor edhe në ato pjesë, por kuptohet në numër shumë më të vogël të inspektimeve se në pjesët e tjera të Kosovës. Ndërkaq nuk ka të dhëna të sakta se sa subjekte shëndetësore private të serbëve veprojnë në atë pjesë për shkak se nuk aplikojnë për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë, por numri i tyre vlerësohet të jetë i vogël”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Problemi i sistemit paralel serb është ngritur edhe në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitet e kaluara. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë vazhdimisht se nuk do të ketë vendim për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe, pa u shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë, përfshirë edhe ato shëndetësore.

Spitalet në veri, por as e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, në kuadër të së cilës funksionon sistemi shëndetësor, nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me temën e hulumtimit.

Qeveritarë të Serbisë, më herët kanë paralajmëruar transicion të sistemit shëndetësor, por vetëm në kuadër të projekteve të përbashkëta me Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë. Sipas tyre, transformimi nuk nënkupton edhe integrimin e shëndetësisë serbe brenda ligjeve të Kosovës. Mbështetur në shifrat e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, në pesë vjetët e fundit janë investuar rreth 130 milionë euro në sistemin shëndetësor në territorin e Kosovës.

Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë në veri nuk përfshihen në buxhetin e nivelit lokal që administrohet nga komunat në përputhje me ligjin e Kosovës për administratën lokale. Lënia jashtë pagesave e këtij sektori, ka ndikuar që realizimi i buxhetit të komunave të jetë i ulët. Komuna e Mitrovicës së veriut për vitin 2018 për paga dhe shtesa kishte buxhet në vlerë prej 3 milionë e 265 mijë e 409 eurosh. Prej tyre janë shpenzuar vetëm 2 milionë apo 61 për qind. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ky nivel i ulët i realizimit të buxhetit ishte për shkak të mospagesës së pagave për punëtorët në sektorin e arsimit dhe atij të shëndetësisë, si rezultat i rrethanave politike në komunat veriore.

Menaxhmenti, po ashtu, nuk ka miratuar një Rregullore të brendshme për strukturën organizative, sistematizim të vendeve të punës dhe harmonizimin e saj me nevojat dhe buxhetin e komunës. Kjo ka ndikuar që disa vende pune kyç të mos plotësohen me staf apo të mbulohen me kontrata mbi vepër. Gjithashtu, menaxhmenti nuk ka kryer vlerësimin vjetor të performancës së punëtorëve në shëndetësi.

Komunat e veriut kanë kompetenca të zgjeruara në krahasim me komunat e tjera në Kosovë. Në mesin e kompetencave të zgjeruara është edhe spitali rajonal. Serbia ka plan që këta sektorë t’i fusë në kuadër të Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe.

Edhe propozimi gjithëpërfshirës i Marti Ahtisarit parasheh që komunat Mitrovicë veri, Graçanicë dhe Shtërpcë të kenë kompetenca për ofrimin e kujdesit shëndetësor sekondar, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, punësimin, pagimin e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe të administratorëve të kujdesit shëndetësor.

Financimi

Edhe pse nuk e ka nën kontroll, Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona euro për sektorin e shëndetësisë në veri.

“MSh-ja ka investuar pas marrëveshjeve në Bruksel në disa projekte për infrastrukturën shëndetësore në komunat me shumicë serbe në veri 1 milion euro, projekte që kanë pasur të bëjnë me qendra shëndetësore të Kujdesit Primar Shëndetësor në këto komuna, përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit. Ato janë zbatuar në bashkëpunim me kryetarët e këtyre komunave, dhe të cilët kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje me logo të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimeve të Qeverisë së Kosovës për integrimin e asaj pjese në sistemin shëndetësor të Kosovës”, kanë thënë në MSh.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri dhe integrimin e tyre në institucionet publike, vendim ky që ka vlejtur për të gjithë sektorët dhe jo vetëm për shëndetësinë, sipas MSh-së, në janar të vitit 2015, 22 pjesëtarë të komunitetit serb kanë lidhur kontrata pune me afat të pacaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, bazuar në Ligjin e Punës.

“Ky numër, në përbërje të së cilit janë 1 stomatolog dhe pjesa tjetër infermierë dhe teknikë mbështetës, sipas kontratës së punës, janë punësuar në institucionet shëndetësore në veri të Mitrovicës, siç është spitali i pjesës veriore. Ata i kanë nënshkruar kontratat bashkë me ‘Deklaratën e paraintegrimit’, me të cilën deklarohen se janë të gatshëm të transformohen dhe integrohen në kuadër të institucioneve shëndetësore të Kosovës, duke u pajisur me dokument identifikimi të Republikës së Kosovës dhe duke aplikuar edhe për licencim në MSh”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Së fundi, MSh-ja thotë se ka kërkuar nga ata që të raportojnë për punën e tyre, me qëllim të realizimit të kontratave të nënshkruara.

Po deri më tani ka munguar llogaridhënia prej ish-ilegalëve të integruar. Madje, punonjësit të cilët kanë lidhur kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë janë paguar pa dalë fare në punë. Kjo e dhënë është evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë, i publikuar në qershor 2019. Sipas tyre, ky lëshim ka ndodhur për shkak se mungon kontrolli menaxhues, i cili duhet të kujdeset që të gjithë nëpunësit publikë të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës. Pagesa e këtyre punonjësve, në mungesë të dëshmive të vijueshmërisë në punë, sipas këtij raporti, dëmton buxhetin e MSh-së dhe rrit rrezikun e pagesave të parregullta.

Për këtë çështje, ministrit të Shëndetësisë i është rekomanduar që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm, siç parashihen me aktet ligjore.

“Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda Ministrisë, ministri rekomandohet që këtë çështje ta adresojë edhe në Qeveri”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aktualisht Ministria e Shëndetësisë ka të dhëna vetëm për numrin e atyre që i financon nga buxheti i saj, jo për të tjerët të cilët nuk raportojnë në këtë ministri.

Të ndarë edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore

Pavarësisht faktit se edhe komunitetet joserbe kërkojnë shërbime shëndetësore në veri, shqiptarët që përbëjnë pakicën në këtë pjesë thonë se nuk ndihen të sigurt të marrin shërbimet që ofron Serbia. Zëvendëskryesuesi për komunitete në Mitrovicën e veriut, Bashkim Cimili, thotë se kërkesë e tyre është ndërtimi i një ambulance në “Lagjen e Boshnjakëve”, por që, sipas tij, “deri më tani nuk është përmbushur”.

Në mungesë të sigurisë, shumë pacientë shqiptarë nga veriu u drejtohen qendrave shëndetësore në jug të Ibrit.

Erseka Hasanaj-Barani është drejtoreshë e Shëndetësisë në Mitrovicën e jugut. Ajo thotë se deri më tani nuk kanë pasur bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës veriore sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

“Vlen të theksohet se edhe nga drejtorët paraprakë ka pasur tentim për bashkëpunim, mirëpo ka munguar vullneti nga Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës veriore”, ka theksuar ajo.

Sa i përket numrit të pacientëve shqiptarë nga veriu, të cilët marrin shërbime shëndetësore në jug të Mitrovicës, Hasanaj-Barani ka shtuar se nuk posedojnë të dhëna konkrete.

“Pasi që nuk kemi protokolle të cilat evidentojnë të tilla informacione, mirëpo kemi konfirmime nga ana e personelit verbalisht”, ka bërë të ditur ajo.

Hasanaj-Barani thotë se kanë pasur kërkesë nga banorët e Bistricës nga Komuna e Leposaviqit për angazhimin e një mjeku familjar, “meqenëse komuna e tyre nuk ka përfunduar procedurat e rekrutimit për angazhimin e një mjeku për nevojat e qytetarëve të asaj zone”.

Pas kërkesave, Drejtoria për Shëndetësi ka filluar të ofrojë shërbime shëndetësore në Zhazhë – Komuna e Zveçanit, Çabër – Komuna e Zubin-Potokut, Bistricë – Komuna e Leposaviqit, “Kodra e Minatorëve” – Komuna e Mitrovicës veriore.

Bazuar në shifrat që ka prezantuar Komuna e jugut të Mitrovicës janë përafërsisht rreth 1.600 shërbime shëndetësore në tri komuna. Ndërsa në “Kodrën e Minatorëve”, për vitin 2019, janë ofruar shërbime shëndetësore për 523 pacientë, ku 7 për qind kanë qenë të komunitetit joshqiptar.

Ambulanca e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kodra e Minatorëve” ofron shërbime shëndetësore prej vitit 2002. Ofrimi i shërbimeve shëndetësore në këtë AMF bëhet çdo ditë pune me një ndërrim, ndërsa pas orës 14:00 dhe gjatë fundjavës.

Sipas Hasanaj-Baranit, duke filluar nga mirëmbajtja e objektit, furnizimi me material shpenzues/barëra, dërgimi i personelit shëndetësor, të gjitha ofrohen në kuadër të Drejtorisë për Shëndetësi.

“Megjithëse nuk kemi bashkëpunim me menaxhmentet apo drejtoritë komunale në këto komuna, ne vazhdojmë të japim shërbime për komunitetin shqiptar në ato zona”, ka përfunduar Hasanaj-Barani.

Tendencat për ndarje mes komuniteteve kur vjen puna për marrjen e shërbimeve shëndetësore janë evidentuar edhe në anketa të ndryshme, realizuar nga organizata të shoqërisë civile. Kështu një e tillë e realizuar nga “Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI)” ka gjetur se të anketuarit nga komunitetet që flasin gjuhën serbe kanë tendencë të vizitojnë dhe të marrin shërbime në institucionet e kujdesit shëndetësor të menaxhuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, ndërsa të anketuarit nga komunitetet që flasin gjuhën shqipe kanë tendencë të vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore të Kosovës. Sipas këtij raporti, pjesëtarët e komuniteteve boshnjak, goran, rom dhe ashkali në Mitrovicë të veriut, Zveçan dhe Leposaviq, kryesisht vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore serbe, ndërsa pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Mitrovicën veriore dhe Zubin-Potok kryesisht vizitojnë dhe marrin shërbimet shëndetësore në institucionet shëndetësore të menaxhuara nga Republika e Kosovës.

Për të anketuarit që vizitojnë dhe marrin shërbime nga institucionet shëndetësore serbe, arsyet kryesore që ata zgjedhin këto institucione janë qasja, cilësia e shërbimeve dhe fakti që ato ofrojnë shërbime shëndetësore pa pagesë. Ndërsa për të anketuarit, pjesëtarë të komunitetit shqiptar që vizitojnë dhe përdorin institucionet shëndetësore të Kosovës në Zubin-Potok dhe Mitrovicën veriore, fakti që këto institucione janë të menaxhuara nga Kosova dhe jo nga Serbia krijon një ndjenjë të sigurisë për ata.

Megjithatë, mungesa dhe kostot e ilaçeve janë probleme të mëdha që sipas të anketuarve ndikojnë në kushtet e tyre të jetesës.

Furnizimi i qendrave shëndetësore me medikamente dhe materiale të tjera përcjellëse vazhdon të bëhet nga Serbia. Por Dogana e Kosovës në disa raste ka ndaluar futjen e paautorizuar të medikamenteve dhe kartelave të sistemit shëndetësor të Serbisë në territorin e Kosovës. Dogana ka kthyer mbrapsht për në Serbi edhe 918 kartela shëndetësore, të cilat kanë qenë të dedikuara për banorët serbë në Kosovë.

Mungesa e mbikëqyrjes

Kuvendi i Kosovës është institucioni që mbikëqyr nivelin e zbatimit të ligjeve. Por deputetë të legjislaturës së fundit, të cilët kanë qenë pjesë e Komisionit për Shëndetësi kanë thënë se, në komunat veriore nuk u është lejuar monitorimi. Ish-Kryetarja e këtij komisioni, Besa Baftiu, ka deklaruar se nuk kanë informacione përkitazi me gjendjen e këtij sektori në veri.

“Si komision, normalisht që kemi diskutuar për këtë çështje. Në mandatin e kaluar komisioni ynë ka monitoruar zbatimin e Ligjit për shëndetësi dhe gjatë monitorimit në kuadër të planit të punës kemi planifikuar t’i vizitojmë edhe institucionet shëndetësore në veri të Mitrovicës, mirëpo një gjë e tillë nuk na është mundësuar”, ka theksuar Baftiu.

Sipas saj, fatkeqësisht Serbia vazhdon t’i mbajë nën kontroll institucionet shëndetësore në veri të Mitrovicës.

“Në këtë drejtim, jo vetëm Ligji për Shëndetësi, por edhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës nuk zbatohen në këtë pjesë”, ka potencuar Baftiu. Ajo ka shtuar se, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës vazhdon të deklarojë se këto shërbime të Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, janë ilegale.

“Sipas Ministrisë, mosintegrimi i kësaj pjese përbën problem politik, i cili është dashur të zgjidhet në bisedimet me Serbinë në Bruksel, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Për Ministrinë e Shëndetësisë nuk është i njohur as numri i punëtorëve shëndetësorë në pjesën veriore”, ka theksuar ajo.

Si pasojë e mosintegrimit, të pakta kanë qenë edhe takimet mes mjekëve shqiptarë e serbë. I vetmi deri më tani ka ndodhur në vitin 2017, ku për herë të parë pas luftës janë takuar mjekët shqiptarë dhe serbë. Edhe aty përfaqësuesit serbë janë deklaruar kundër institucioneve të përbashkëta shëndetësore.

Doktoresha serbe, Rada Trajkoviq, e cila ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të mbijetojnë pa Beogradin, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor. Ndërkaq, Sinan Prekazi, mjek nga Mitrovica është shprehur i habitur se si pas kaq vitesh kolegët i rezistojnë integrimit dhe bashkëpunimit me komunitetet e tjera. Ai e ka quajtur të padrejtë përjashtimin e mjekëve shqiptarë nga spitali i veriut të Mitrovicës, vetëm për shkaqe të etnisë.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme