1 mijë e 800 persona aplikuan për legalizimin e armëve pa leje

1 mijë e 800 persona aplikuan për legalizimin e armëve pa leje

17 September 2019 08:47

Sot skadon afati për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë. Të dhënat zyrtare tregojnë se një ditë para mbylljes së afatit numri i kërkesave për legalizim është tejet i vogël. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se deri tani kanë aplikuar vetëm 1 mijë e 800 persona. Sipas tyre, pas këtij afati gjobat për armët ilegale do të jenë bukur të larta.

Nën moton “Me letra”, fushata, e cila ka nisur në fund të vitit 2018 në një afat kohor prej gjashtë muajve, ka pasur për qëllim që t’i bindë qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për legalizimin e armëve pa leje, të cilat i posedojnë.

Destan Mustafa, udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha për televizionin publik se MPB ka vlerësuar se gjashtëmujori i parë i fushatës ka qenë i suksesshëm dhe se kanë vendosur edhe për tre muaj shtesë.

"Kemi vlerësuar që ka qenë fushatë e suksesshme dhe e rëndësishme dhe e kemi vazhduar edhe për tre muaj, që vlen edhe nesër. Gjatë gjithë fushatës kemi 1800 kërkesa për legalizim. Mendoj se ka mundur të jetë numër me i madh i kërkesave", tha ai.

Mustafa thotë se tani atyre u nevojitet edhe një periudhë kohore prej gjashtë muajsh që të bëjnë vlerësimin e kërkesave për legalizim.

"Tani kemi ne një procedurë pak me të gjatë për shkak të legalizimit dhe ndërlidhjes me institucionet e tjera", tha ai.

Gjatë kohës sa zgjat fushata për legalizimin e armëve pa leje, me vendim të ministrit në detyrë të MPB-së , Ekrem Mustafa, është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili, në paragrafin një, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme