Prishtinë, 11 shtator –Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në një takim kortezie ambasadorin e ri të Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Jens Erik Grondahl, të cilit i uroi mirëseardhjen në Kosovë.
Sipas njoftimit për media, ata shkëmbyen pikëpamjet mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Ministri Pacolli vuri në dukje marrëdhënien bilaterale dhe partneritetin strategjik në mes dy vendeve dhe dy popujve. Gjatë takimit, ministri Pacolli i ka konfirmuar vullnetin e Republikës së Kosovë për thellimin e mëtejmë të raporteve miqësore ndërmjet dy vendeve.