Arbëri

Mustafa: Veriu është i Kosovës, shkojmë kur të duam

“Policia e Kosovës me punën e saj ka bërë që të ulet dukshëm kontrabanda në veri të vendit. Policia ka arritur që veprat penale vetëm këtë vit t’i ulë në 20 për qind”. Kështu ka thënë Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mustafa tha se Policia e Kosovës ka qasje të mirë në veri, kontrabandë nuk ka sikurse që kishte më herët. E, duke folur për sigurinë në këtë pjesë të Kosovës dhe ndërhyrjet e policisë atje si dhe reagimet e krerëve serbë, Mustafa thotë se ai territor është i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk mund të japë urdhër se kur Policia e Kosovës mund të hyjë atje.

Edhe pse, sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtare e Interpolit dhe thotë se një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak se edhe këto institucione janë politizuar.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtar i Interpolit dhe Europolit. Europoli është një mekanizëm që pa u anëtarësuar në Bashkësinë Evropiane nuk mund të anëtarësohesh. Në Interpol ne kemi pasur mundësi të anëtarësohemi edhe vitin e kaluar, edhe më herët sepse policia e Kosovës dhe institucionet tona i kanë përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, por fatkeqësisht është politizuar ky institucion”, tha ai.