Arbëri

Nënshkruhet memorandum për forcimin e sistemit prokurorial mes Ambasadës së Britanisë dhe KPK-së

Me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe profesionalizmit dhe forcimit të Sistemit Prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, përmes partnerëve të saj implementues Axiom International dhe Agencia Ltd, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi.

Sipas njoftimit për media, ky memorandum mirëkuptimi është nënshkruar nga kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni dhe Drejtori i Projektit, Axiom International dhe Agencia Ltd, Steve Pitts.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se përvojat e ekspertëve britanik janë shumë të mirëseardhura dhe përmes projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, do ta forcojnë pa dyshim zbatimin e parimeve të përzgjedhjes bazuar në merita, llogaridhënie, barazi dhe transparencë.

“Gjithashtu do të punohet bashkërisht me partnerët nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe me partnerët tjerë strategjik të sistemit prokurorial edhe në avancimin e sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve, në mënyrë që të jemi sa më llogaridhënës dhe të sillemi brenda standardeve të njohura ndërkombëtarësh”, ka thënë Hyseni.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandwr Lumezi ka thënë se ky bashkëpunim më partnerët ndërkombëtarë iu jep të drejtë për të besuar se ky projekt në të ardhmen do të jep rezultate konkrete në forcimin e sundimit të ligjit.

“Ky bashkëpunim nëpërmjet këtij projekti do të ndikojë edhe në krijimin e standardeve gjatë procedurave të përzgjedhjes dhe rekrutimit të prokurorëve, avancimit, emërimit por edhe të vlerësimit të performancës. Memorandumi duhet të udhëhiqet nga parimi i mirëkuptimit, parimi i sovranitetit dhe interesit të ndërsjellët për arritjen e qëllimeve të përbashkëta në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ky memorandum ka për qëllim mbështetjen, trajnimin dhe monitorimin e prokurorëve të cilët merren me rastet e krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave”.

Ambasadori Britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott, tha se sot është dita e parë si Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ka kënaqësinë të takohet me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorin e Shtetit dhe prokurorë – që kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në hetimin dhe luftimin ndaj dukurive negative.

Ai shtoi se beson se ky fakt përçon qartë përkushtimin dhe rëndësinë që Mbretëria e Bashkuar ka për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Jam shumë i kënaqur, gjithashtu, të jem i pranishëm në formalizimin e bashkëpunimit tonë edhe më të ngushtë, përmes mbështetjes programatike nga partneri zbatues Axiom dhe Agencia. Partneri jonë implementues është dorë e zgjatur e Ambasadës Britanike i cili tashmë është duke bashkëpunuar ngushtë me ju në shumë aspekte si: rekrutimet, promovimet, emërimet, vlerësimin e performancës dhe integritetit, tha Ambasadori Abbott”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit, ky memorandum mirëkuptimi do të ndikojë që Këshillit Prokurorial i Kosovës të merr mbështetje në ngritjen e efikasitetit në rekrutim, avancim dhe transferim të të gjithë prokurorëve të Shtetit dhe vlerësimet e performancës së tyre.