Arbëri

LB-ja shkrihet në listën e PDK-së për zgjedhjet e tetorit

Kandidatët për deputetë nga Lëvizja për Bashkim do të jenë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kjo marrëveshje, sipas njoftimit, është rezultat i bashkëpunimit tradicional mes dy subjekteve politike.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lartë kontributin që Lëvizja për Bashkim ka dhënë në të kaluarën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Qeverinë e Kosovës por edhe në institucione të tjera qendrore dhe lokale. Në Qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga Kryeministri Kadri Veseli, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkim do të jenë partnerë në luftën kundër korrupsionit dhe në angazhimet e tjera për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, ka thënë se me LB-në janë bashkuar për “të mos e mundur askënd, por për të fituar Kosova”.

“Kemi qenë bashkë në luftën për liri. Jemi bashkë edhe në paqe, në luftën kundër korrupsionit e nepotizmit, hapjen e perspektivës për rininë, ndërmarrësit, fuqizimin ekonomik e orientimin tonë të pakomprimis euroatlantik. Do të bëjmë fushatë të qetë për të dalë fitimtarë veç për Kosovën. Për të mos e mundur askënd, por për të fituar Kosova”, ka thënë Veseli me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Në anën tjetër, kryetar i LB-së, Valon Murati, ka thënë se “bashkë do të punojnë për të ardhmen e Kosovës, rinisë dhe për zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Lëvizja për Bashkim do të bëjë përpjekje ashtu si deri tash që përmes përfaqësuesve të vet edhe në Kuvendin e Kosovës edhe në qeverisjen e ardhshme të përçojë zërin e qytetarëve, idenë e luftës pakompromis kundër korrupsionit e dukurive negative. Po shpresoj se tradita e bashkëpunimit ka lënë gjurmë nga e kaluara dhe do të përpiqemi bashkërisht të punojmë për të ardhmen e Kosovës, rinisë e zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shtuar ai.