MASHT-i thotë se mësimi nis nesër, në disa shkolla s’ka përfunduar renovimi e Kamenica në grevë

Arbnora Luta Arbnora Luta 01 September 2019 19:12

Me grevë mund të fillojë viti i ri shkollor të hënën në Kamenicë, për shkak të vendimit të Komunës për mbylljen e disa shkollave.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk janë tërhequr nga vendimi për grevë dhe e njëjta mund të ndodhë nesër, nëse mësimdhënësit pengohen të zhvillojnë mësimin në shkollat ku tashmë janë mbyllur nga Komuna.

“Në takimet me kolegët tanë në Kamenicë kemi vendosur, pasi ata janë të shqetësuar me veprimet e Kryetarit Kastrati, ata kanë kërkuar mbështetjen tonë dhe do ta kenë. Greva, fillimisht, do të jetë dy orë, ndërsa, nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim pas një jave, greva mund të ketë edhe në komuna të tjera”, ka thënë Jasharaj për KTV-në.

Por Ministria e Arsimit thotë se procesi mësimor do të fillojë me rregull në gjithë vendin, bazuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Valmir Gashi, nga kjo ministri, ka thënë se edhe tekstet shkollore janë shpërndarë në të gjitha komunat.

Derisa në Prishtinë, drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Shpresa Shala, tha se Komuna është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë puna në rinovimin e disa shkollave nuk ka përfunduar me kohë.

Shkak për këtë, sipas Shalës, kanë qenë vonesat në procedurat e prokurimit.

Shala ka shtuar se në shtatë shkolla mësimdhënësit ende kanë vështirësi në zbatimin e kurrikulës së re dhe se, sipas saj, Ministria ka formuar një grup ekspertësh, të cilët do t’i mbështesin mësimdhënësit në zbatimin e saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme