Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufa, e ka quajtur çudi të madhe përgjigjen e Isa Mustafës pas letrës dhe ofertës së Vetëvendosjes për lidhje të koalicionit.
Ai thotë se me atë përgjigje LDK-ja ka krijuar përshtypje se nuk guxon të krijojë bashkëpunim me VV-në, përmes të cilit, ai thotë se Kosova do të fitonte shumë.
“Qytetarët e Kosovës po pyesin se cila është arsyeja e vërtetë e këtij refuzimi ku Vjosa Osmani do ta kishte numrin një si bartëse e listës. VV është e sigurt në vetvete që nëse do të hynim bashkë do të shkaktohej një fitore e madhe”, ka thënë Konjufca, transmeton Koha.net.
Sipas tij, kjo ka treguar se kush është i sinqertë për koalicionin mes dy partive.
Ai thotë se fillimisht për hir të bashkëpunimit ata nuk e kanë vendosur Kurtin si kryeministër të njëanshëm, ashtu siç bëri LDK, duke shtuar se kanë hequr dorë si bartës të listës dhe iu kanë ofruar që kryeministrin ta caktojë populli.
Sipas tij, kjo ofertë reflekton një zemërgjerësi të Lëvizjes Vetëvendosje, por shton se, kanë mbetur të habitur se cilat do të ishin arsyet që do të refuzoheshin kushtet e tilla sepse thotë se kandidaten që ata e kanë vendosur do të ishte e para në listë.
“Mundësinë e PAN-it të ardhshëm LDK do ta eliminonte me koalicionin me VV dhe kryeministrin do ta vendoste populli. LDK e mban përgjegjësinë çfarëdo që të ndodhë në skenën politike. Kurti me ofertën që ia bëri LDK-së ka shkuar edhe kundër vullnetit të shumë aktivistëve tanë. Ne kemi qenë të bindur se LDK do ta pranonte këtë mundësi, sepse meqenëse kishim pozicione të cilat e barikaduan postin e kryeministrit, ne e dërguam te populli”, ka thënë ai.
Konjufca thotë se oferta e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmanin nuk do të pranohet nga Vetëvendosje.