Arbëri

Zgjedhjet e parakohshme do t’i kushtojnë Kosovës 5.6 milionë euro, KQZ-ja në pritje të parave

Përgatitjet për ditën e 6 tetorit do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 5 milionë e 698 mijë euro.

Kjo është shuma e parave që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat janë caktuar të mbahen në javën e parë të tetorit, raporton KTV.

KQZ-ja ka kërkuar nga Qeveria që sa më parë t’i ndajë këto mjete, pasi në mungesë të tyre, nuk mund të furnizohet me asnjë material të nevojshëm për zgjedhje.

LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë vlerësuar se nuk ka arsye të vonohet ndarja e mjeteve financiare.

Por, në Ministrinë e Financave kanë paqartësi ligjore rreth vendimit për ndarjen e këtyre mjeteve, në kohën kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë vendim për kompetencat e Qeverisë në dorëheqje.

Mirëpo, ky vendim mund të vonohet më së shumti edhe një muaj, pasi zyrtarë të Kushtetueses kanë thënë për KTV-në se lënda është duke u shqyrtuar me kujdes të shtuar dhe kjo merr kohë.

“Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. Megjithatë, bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj. Kjo, për arsye se janë një sërë veprimesh procedurale që Gjykata tani duhet të ndërmarrë, si para shqyrtimit, e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar”, ka thënë Veton Dula, zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese.

Nëse vendimi i Kushtetueses vonohet, Ministria e Financave thotë se do të shohin se si mund të veprojnë, në mënyrë që të mos pengohet mbajtja e zgjedhjeve.

Në mbledhjen e së martës, KQZ-ja ka vendosur që fushata zgjedhore të zgjasë dhjetë ditë, nga 25 shtatori deri më 4 tetor.

Partitë politike kanë afat të deklarojnë koalicionet, deri pas mesnatës së 30 gushtit.