Arbëri

Pas largimit nga Nisma Socialdemokrate, Bytyqi ankohet për përzierje të politikës në arsim

Ministri i Arsimit në largim, Shyqiri Bytyqi, është larguar nga Nisma Socialdemokrate.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se dikasteri i arsimit si arteria kryesore e ndërtimit të një shoqërie, të cilin ai e ka udhëhequr kërkon më shumë ndershmëri nga politika dhe më shumë përkushtim nga profesionistët.

Ai thotë se sfidat e thirrjes institucionale që rezultojnë nga përgjegjësia drejtuese ishin dhe mbeten të shumta.

Sipas tij, asgjë nuk mund të ndreqet me një të rënë lapsi, aq më pak, kur duart partiake shohin kapjen e institucioneve siguri përqendrimi, hapësirë rritjeje pushteti e hiseje elektorale.

“Vlerat e një institucioni rriten e dëmtohen në secilin e nga secili segment i tij, dhe kur ato nuk kanë harmoni hierarkie dhe substancë përmbushjeje prodhojnë deformitete jo funksionaliteti e letargji institucioni. Gjendje të tilla bëhen parajsë kapjesh e vesesh. Autonomia vepruese në ndërtimin e politikave arsimore duhet të mbetet vetëm e ekspertizës profesionale. Nga profesionistë e politikanë me ndërgjegje patriotike bëhet gjëja e duhur në këtë fushë dhe politika mban duart larg cytjeve deformuese”, ka shkruar ai.

Ai thotë se në Kosovë në kokat e ndonjë njeriu të politikës akoma nuk ka vetëdije të tillë, duke shtuar se kjo ka lënë shumë plagë në besimin e tij se duhet të vazhdonte ta bënte Ministri.

“Lënia e mandatit rrugës në bindjen time do ishte gabimi që mund t‘ia bëja arsimit! Rrethanat mund të prodhonin shkarje. Autokracia partiake te ne provon dhe ia arrijnë ku e ku ta bëjë jo vetëm politiken e hises koalicioniste, por edhe secilën detyrë të asaj hiseje veç e veç deri në përmasën që deformon secilën lindje iniciative a vazhdimësie dhe gjithçka sheh e provon ta përdorë si aset përfitimi a kapjeje”, thotë ai.

Sipas tij, sfidat e një drejtuesi të dikasterit krahas ndërtimit të vlerave tashmë bëhen edhe ato të ruajtjes së proceseve nga kapja që në thelb janë veçse deformitete, në pellgun moçalik të të cilave mbytet ëndrra e brezave.

Bytyqi thotë se kjo përlind mospajtimet e pariparueshme.

“Moralja dhe amoralja në të tillë rrethanë pikë-ndarjen e ngrenë në detyrë. Shteti i xhepave partiakë bëhet e keqja e përgjithshme dhe e mban në këmbë autokracinë partiake. Të tilla shkarje mjerisht sot janë ethet e frikshme të mentalitetit (mykur në praktikat e lindjes), ku edhe ne kemi hisen tonë në prodhimin jo vetëm të mendësisë, por edhe e të së keqes”, ka shkruar ai.

Ai thotë se kjo e bënë të lëngoj shoqërinë, e fyen socialdemokracinë si vlerë konkuruese për univerzalen e gjykimit njerëzor.

“Në të tillë rrethanë unë dorëhiqem nga të qenit pjesë e Nismës Socialdemokrate edhe pse thellë në mua jetojnë parimet e socialdemokracisë dhe aspirata për ndërtimin e shoqërisë mbi themele ku shpërndarja e barabartë e mundësive dhe të mirave dhe bëhen edhe garanca e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së po vet shoqërisë”, shkruan Bytyqi.

Ai thotë se ideale të tilla jetojnë në sinkron me jetën njerëzore dhe sipas tij, akoma nuk ia kanë arritur të bëhen vetëdija e gjithëmbarshme e njerizimit, por kjo nuk duhet të pengoj e të i ndalë në përpjekjen e tyre.

“Meqë, socializmi i njeriut ngritët në themele moraliste e vetpërgjegjësie, në identitetin njerëzor ‘Vetëdijen’, unë nuk e shoh të udhës të vazhdoj atje ku duhet ta bëjë bashkëspartanin me gjithë ata që çdo ditë duhet ta mbrojnë partinë nga gabimtarët e brendshëm. Ndoshta pritshmërit e mia ishin dhe mbetën paksa utopike për stadin e ndërtimit të partisë dhe petkun real që ajo shpërfaqte në funksionimin e brendshëm edhe pse është nder e mësim kur ke rastin të dëgjosh ligjërimin qoftë edhe në një bisedë të thjeshtë të bacës Jakup! Por, çe do pranvera do shumë lule! Të shumtë do jenë që do e tumirin dorëheqjen time dhe po ashtu të shumtë do jenë që do ngatërrohen në hilen se unë nuk erdha ta bëja ministrin e arsimit nga pesha reale brenda partiake, por nga koniunktura në hirin e një shkolle të cilën e trashëgon tashmë ish kryetari i partisë ku militoja deri sot”, ka shkruar ai.

Ai thotë se donë t‘i kënaq edhe ata në të drejtën e tyre, por ua rikujton se partia ishte në një deficit pas ikjes së kalibrave të mëdhenj si Xhevat Bislimi, Bajram Ajeti, izet Ibrahimi dhe mos bashkimit të heshtur të shumtëve, të cilët i ndaloi ky largim i atyre që konsideroheshin bashkëshpatullat e ndërtimit të partisë.

Sipas tij, gjendja e tillë prodhoi realitetet e reja dhe brezi tyre erdhi në shprehje.

“Koniunktura ku unë u prodhova ministër me pafajësinë time fatmirësisht nuk u bë as petku as burgu im. Kjo ma bëri shtegun që kisha përpara një dhiare herë herë edhe pa krye. Falë proceseve dhe peshës së tyre, balancës që impononin baca Jakup e Sekretari Sherifi në parti, korrektësia e pashoqe e kryeministrit dhe veçanërisht miqve amerikanë e evropian ne mundëm të mos ndaleshim, por edhe të mirëkuptoheshim për situatat që na krijoheshin për gjatë një pune voluminoze që imponon arsimi ynë”, ka shkruar tutje ai.

Ai thotë se dy gjëra e kishin bashkuar në fillet e rrugëtimit politik me Nismën.

“Bindja socialdemokrate që jeton në personin tim dhe vrazhdësia e efektit ndarës të PDK-së ku njeriu që unë respektoj më shumë nga gjithë tjerët në skenën tonë politike e të zhvillimeve Jakup Krasniqi ishte vënë padrejtësisht edhe në goditje opinionesh si produkt i aferës së përgjimeve. E majta që jeton në mua po aq sa ishte bindja ime tashmë është bërë edhe rrugëtimi im angazhues! Uroj që, në një të ardhme të afërme pas një katarsisi të brendshëm, i cili do ta vetëdijesonte të majtën tonë, të ndërtohet kulmi i përbashkët mbi themele parimesh të majta, me çka socialdemokracia do bëhej avangarda e ndërtimit të shoqërisë dhe vlerave tona”, ka përfunduar ai.