Njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, ka përmendur raportet ndërkombëtare që tregojnë për nivel më të lartë të krimit në vendet ku nuk ka përfshirje të fëmijëve në sistemin parashkollor, që nënkupton çerdhet, kopshtet dhe nivelin parafillor të arsimit.
Përfshirja e fëmijëve në këtë sistem në Kosovë llogaritet të jetë më e ulëta në rajon dhe Evropë.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Hyseni ka kritikuar qeveritë e deritanishme të cilat, sipas tij, nuk kanë qenë të interesuara që të investojnë në këtë nivel shkollimi.
KD: Si e vlerësoni punën e edukimit parashkollor në Kosovë?
Hyseni: Ky nivel është pjesë e nivelit të edukimit dhe arsimit, i cili është në një gjendje shumë të katandisur. Për fat të keq është niveli më i pazhvilluar edhe pse nga rëndësia është niveli më i rëndësishëm, sepse edukimi parashkollor paraqet themelet e sistemit të edukimit dhe arsimit. Nëse themeli i edukimit dhe arsimit nuk është ai që duhet, atëherë as sistemi i edukimit nuk mund të jetë i mirë. Nuk ka sistem efikas dhe efektiv të arsimit të një shoqërie pa një nivel efikas të sistemit të edukimit parashkollor. Përfshirja e këtyre fëmijëve në edukim dhe kujdes është shumë e rëndësishme. Edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm që e bën avancimin dhe edukimin e Kosovës.
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)