Arbëri

Nisma dhe AKR zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor, Limaj shpall kandidaturën për kryeministër

Foto: Koha

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, pak çaste më parë kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Ky është koalicioni i dytë, pas atij të AAK-së e PSD-së, që u bashkuan në një listë të vetme zgjedhor.

Në konferencën për media, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj kanë njoftuar për koalicionin parazgjedhor mes këtyre partive.

Para mediave, Pacolli ka thënë se ky është takimi i parë mes dy partive dhe se kanë bashkëpunuar.

“Besoj se edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë. AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosë që të lidhin koalicion. Unë kisha me e quajtur boshti i artë, ose qendra e tretë e cila do të jetë kyçe dhe e rëndësishme në formimin e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Pacolli, raporton KTV.

Pacolli, po ashtu, tha se Akr-ja dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të kenë kandidatin e përbashkët për kryeministër.

E në këtë konferencë Fatmir Limaj bëri të ditur edhe kandidaturën e tij për kryeministër.

“Sot kemi marr dy partitë politike që është një bosht e pritet ti bashkohen edhe parti të tjera. Besoj se koalicioni parazgjedhor e jep një mundësi të re. E unë po njoftoj se do të jem kandidat i këtij koalicioni për kryeministër”, ka thënë Limaj.

Nga të dy palët u tha se ky koalicion do të jetë vendimtar në formimin e Qeverisë së ardhshme.

Mes të tjerash Limaj tha se ky koalicion do të jetë i hapur për të tjerët.

Mundësi koalicioni parazgjedhor kanë përmendur edhe LDK-ja e VV-ja, por ende janë në bisedime e sipër.

LDK-ja mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm pasdite, ku mund të vendoset për koalicionin me VV-në.