Pelegrinazhi në Tomor, 600 mijë pelegrinë drejt Teqesë së Kulmakut

Pelegrinazhi në Tomor, 600 mijë pelegrinë drejt Teqesë së Kulmakut

22 August 2019 11:00

Data 18 gusht shënoi nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorit, një mal i konsideruar “i shenjtë”, pasi në të sipas bektashinjve prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.

Mali i Tomorit ‘pushtohet’ gjatë 7-ditëve të pelegrinazhit nga mijëra pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.

Si asnjë vit tjetër, pelegrinazhi këtë vit parashikohet të kapë shifrën rekord të rreth 600 mijë njerëzve. Kryegjyshi Botëror, Baba Mondi tha për News24 se vetëm në 4 ditët e para të këtij pelegrinazhi në Malin e Tomorit kanë mbërritur rreth 400 mijë pelegrinë nga të katër anët e botës, madje edhe nga Australia, për të gëzuar këto ditë të bukura të Malit të Tomorit dhe të Abaz Aliut.

Besimtarët, pjesë e pelegrinazhit kanë ngritur çadrat në këtë vend të shenjtë, për të bërë kurbanin e festës. Të parët që vendosën në malin e shenjtë të bektashinjve janë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës, qengjat, që janë dhe personifikimi i kësaj feste të veçantë.

Gjatë 7-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet e festës.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Edhe ky vit ka qenë sfilitës për pelegrinët. Mungesa e një rruge të mirë i ka munduar jo pak. Ata thonë se kanë duruar me orë të tëra për të përshkuar pak kilometra në rrugën që të çon drejt Teqesë së Kulmakut.

E pavarësisht vështirësive pelegrinët nuk ngurojnë të vijnë me mijëra në malin e Tomorit. Nuk mungon urimi që Baba Mondi u drejton besimtarëve bektashinj:

“Uroj të gjithë besimtarët bektashinj të kenë dashuri, paqe, mirësi dhe begati në këto ditë të shenjta, të afrohen me njëri-tjetrin dhe të kenë dashuri për prindërit dhe për punën që e çon njeriun përpara, e zhvillon dhe i krijon të mira materiale për të jetuar sa më mirë, si gjithë të tjerët”.

Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit nisin më 18 Gusht dhe përfundojnë më 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste është 22 gushti./BW

Komentet

Shto koment

Të ngjashme