Aliu thotë se VV-ja dhe LDK-ja janë të detyruara për koalicion parazgjedhor

Aliu: Do të doja që partitë e mëdha të shkojnë ndaras në zgjedhje – ne do të fitonim me Kurtin kryeministër

21 August 2019 23:41
23:56

Liburn Aliu i Vetëvendosjes ka thënë se kanë qenë veprimet e bashkërenduara opozitare gjatë këtij mandati me LDK-në që kanë bërë që këto dy parti të afrohen.

“Vetëvendosja vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë për LDK-në e Isa Mustafën. Por, ne i kemi bashkërenduar hapat me LDK-në si opozitë gjatë këtij mandati. Dhe kështu nis rregullimi i marrëdhënieve. Kemi pasur edhe për AAK-në kritika, e më pas kemi bashkëpunuar. Nuk i dihet të ardhmes, por në politikë momenti kërkon që të bësh koalicione, pavarësisht mospajtimeve. Kemi qenë unikë për marrëveshjen që Thaçi dëshironte të bënte me Vuçiqin. Kështu është krijuar një marrëdhënie mirëbesimi mes nesh dhe LDK-së, që është diçka pozitive. Nëse e shikon të kaluarën, ka shumë personalitete që ke mundur të kesh mospajtime, por pastaj bashkëveprojnë”, ka thënë Aliu në Interaktiv të KTV-së.

Duke folur për mundësinë e mosarritjes së një koalicioni me LDK-në, Aliu tha se do të donte që të gjitha partitë e mëdha të shkojnë ndaras në zgjedhje.

“Nëse do t’i kishim partitë e mëdha, VV, LDK, PDK e AAK të ndara, do ta dëshiroja shumë që të shkonim kështu në zgjedhje, 4 pole. E të voglat le të shkojnë ku do të donë, Nisma e PSD-ja. Në çdo lagje e fshat e rrugicë flitet vetëm për Albin Kurtin kryeministër. Sipas sondazheve, VV në zgjedhje me Kurtin kandidat për kryeministër, është partia e parë. Por, pavarësisht se ne mendojmë kështu, nuk duhet të lejojmë të rrezikojmë që të gjithë ata të bëhen bashkë e ta thyejnë këtë shpresë te populli”, deklaroi ai.

“Nëse, me këtë shpresë që po e shohim në terren, do ta hiqnim Albin Kurti nga posti i kandidatit për kryeministër, do ta thyenim shpresën në popull. Ky është një opinion imi nga puna në terren që po e bëjmë. Do të jetë tepër e dëmshme nëse do të ndërhyhet në këtë punë. Le të thotë sa të dojë Kadri Veseli se është për ndryshim, askush s’mund ta besojë se ndryshimi vjen me të. As Ramush Haradinaj s’mund ta bëjë ndryshimin. I vetmi person që mund të bëjë ndryshimin, të gjithë e shohin, është Albin Kurti”, u shpreh deputeti i VV-së, Liburn Aliu.

Duke u ndalur tek koalicioni i parë parazgjedhor, që u nënshkrua mes AAK-së dhe PSD-së, Aliu tha se ky koalicion është i natyrshëm, e madje thotë se ka pritur që PSD-ja të bëjë koalicion edhe me PDK-në.

Shton se ky koalicion s’mund të jetë i fitores, por vetëm nëse bëhen të gjitha bashkë, sikurse në rastin e PAN-it.

“Koalicioni AAK-PSD më është dukur i natyrshëm. Ata janë më shumë kah e djathta, pavarësisht deklarimeve të tyre të majta. Veprimet çojnë kah e djathta. Prandaj, për mua s’ka kurrfarë befasie në këtë koalicion. Kam pritur që do të shkojnë me PDK-në, për shkak të orientimin, por s’kanë shkuar për shkak të deklarimeve me ato vijat e kuqe. Si me PDK-në si me AAK-në, për mua është normale për PSD-në. S’mund të jetë koalicion i fitores. Vetëm nëse bëhen të gjithë bashkë, sikurse PAN-i, mund të jenë fitues.

Deklarata e nënkryetarit të PSD-së se VV-ja është në panik pas koalicionit me AAK-në, sipas Aliut, nuk çon peshë.

Ai tha se VV-ja gjithmonë ka diskutuar me shumë subjekte politike para zgjedhjeve, dhe “edhe tani jemi të hapur për të diskutuar me partitë tjera”.

Duke iu referuar sondazheve, Aliu tha se nuk ka shumë informata, mirëpo theksoi se në vazhdimësi VV ka dalë e dyta me diferencë të vogël me LDK-në, e së fundmi ka dalë e para, por gjithashtu me diferencë të vogël me LDK-në.

“Por, ajo që është me rëndësi është se Albin Kurti del si kandidati kryesor për kryeministër”, tha ai, ndërsa mohoi që partia që ai përfaqëson të ketë bërë ndonjë sondazh.

23:41

Aliu thotë se VV-ja dhe LDK-ja janë të detyruara për koalicion parazgjedhor

Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se partia e tij dhe LDK-ja janë të obliguara të mendojnë për koalicion parazgjedhor duke u bazuar nga e kaluara, kur koalicione parazgjedhore janë bërë në minutat e fundit.

Duke folur në Interaktiv të KTV-së, për bisedimet mes dy partive lidhur me një koalicion të mundshëm parazgjedhor, Aliu ka thënë se një koalicion i tillë do të garantonte ndryshimin në Kosovë.

“Ka pas takime para disa ditësh, ku morën pjesë edhe shefi i grupit parlamentar dhe nënkryetari e është diskutuar që të ketë edhe grupe punuese që të flitet për një koalicion të mundshëm. Konsideroj se është i nevojshëm. Do të bënte të sigurt fitoren dhe do të garantonte ndryshimin. Meqenëse të gjitha subjektet deklarojnë për ndryshim, edhe ato që ishin pjesë e ndërtimit të kësaj gjendje, është e qartë se ndryshimin mund ta sjellë Vetëvendosje edhe në partneritet me LDK-në, me të cilën ishim bashkë në opozitë, e kësisoj të garantohet kthesa e madhe në këtë vend”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështja e kandidatit për kryeministër duhet të qartësohet, por para kësaj, Aliu ka thënë se duhet të jetë çështja e programit dhe të dihet se cilët do të jenë hapat e parë që do të ndërmerrte një qeveri potenciale ku udhëheqin VV e LDK.

Për kandidatin më të mirë, Aliu ka thënë se mendon që kjo i takon Albin Kurtit, kreut të VV-së. Këtu ai thotë se duhet bazuar në faktin që Kurti ishte më i votuari në zgjedhjet e fundit dhe se “ai është i duhuri për këtë moment”.

“Ne mendojmë se e meriton Albin Kurti. Ka pas më së shumti vota. Ka një ambient pozitiv të krijuar ndaj Albinit, bazuar në votat nga e shkuara. Mendojmë se ai është i duhuri për këtë moment, gjithmonë në bashkëveprim me partnerin në koalicion. Do të ketë rezistencë të madhe nga ata që kanë monopole. S’do të jetë i lehtë ndryshimi. Çdo lloj tentative për ndryshim s’do të jetë e lehtë. Për të luftuar korrupsionin duhet figurë që nuk frikësohet e nuk korruptohet”, ka shtuar Aliu, teksa ka theksuar se për një koalicion ka disponim në të dy partitë. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Të dy palët janë të vetëdijshme se sado që të shkonin vetë, edhe LDK edhe ne duam, por duke pas parasysh kur jemi në një situatë ku koalicionet mund të dalin të parat e të rrezikojnë ndryshimin që po flasim e qytetarët po e presin e kemi obligim që të bashkohemi e të mos dalim vetë e vetë. Sado që më 2017, VV doli mbi 30 për qind, koalicioni PAN si koalicion kishte 39 deputetë dhe doli në vend të parë”.

Sipas Aliut, nëse LDK dhe VV hyjnë të vetme në zgjedhje dhe në fund fiton një kandidat “që do të vazhdonte politikën e deritashme, duhet të gjithë të ndihemi përgjegjës”.

“Nëse shkojmë vetë të gjithë, atëherë duhet të mbajmë pjesën tonë të fajit. Nëse shkojnë të gjithë vetë, do të ishte në rregull. PDK vetë, AAK me PSD-në vetë, LDK vetë e ne vetë, do të ishte betejë korrekte, le të fitojë më i miri. Por meqenëse mund të ndodhin koalicione, jemi të obliguar të mendojmë për koalicion dhe e kemi detyrë të mendojmë”, ka deklaruar më tej Aliu. “S’duhet t’i lëmë gjërat për fund. Nëse bëhet koalicion siç dinë të tjerët, pak para orës 12:00, nuk do të ishte mirë. Një koalicion do të ishte më i fortë e më i vendosur nëse qartësohet me kohë gjithçka. Edhe nëse hymë në aso koalicioni, vetë do të isha me një shqetësim sepse u vendos shpejt e shpejtë. Do të ishte më mirë më herët për të dy anëtarësitë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme