Arbëri

Politikanëve u kërkohet të mos shkelin privatësinë e pacientëve për qëllime elektorale

Foto: Koha

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar që funksionarët shtetërorë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës të mos shkelin privatësinë e pacientëve.

Në një njoftim për media, kjo shoqatë ka thënë se dënon shkeljen e privatësisë së pacientëve dhe se çdo përdorim i pacientëve, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm.

“Përdorimi i pacientëve për çfarëdo qëllimi, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale, Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore, moralin shoqëror etj.”, thuhet në reagim.

Kjo shoqatë ka ftuar Agjencionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Koordinatorët për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Institucioneve Shëndetësore dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që të ndalojnë çfarëdo lloj informate për pacientët që të bie në duar të personave të paautorizuar.

“Nëse ka interes të tregohet puna e bërë në shëndetësi, duhet të përdoren raportet dhe statistikat krahasuese, jo pacientët!”, ka thënë PRAK teksa ka kujtuar se as gjatë mandatit të Qeverisë Haradinaj nuk është bërë Sistemi i Informimit Shëndetësore as Sigurimet Shëndetësore.

“Kujtojmë se gjatë këtij mandati të kësaj qeverie nuk është bërë Sistemi i Informimit Shëndetësor, as Sigurimet Shëndetësore, nuk është miratuar asnjë Ligj, janë miratuar vetëm 4 Udhëzime Administrative, nuk është përmbushur as për së afërmi Lista e Barnave Esenciale, Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike ka hyrë në borxh për shkak të kërkesave enorme për trajtim jashtë këtyre institucioneve, nuk është ndarë Sistemi Shëndetësor Sekondar nga ai Terciar etj.”, përfundon reagimi i PRAK-ut.

Të martën, kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, kishte vizituar disa prej pacientëve që kishin marrë shërbime mjekësore në Klinikën e Kardiologjisë. Duke thënë se në këtë klinikë janë bërë reforma radikale, Veseli publikoi fotografi me pacientët. Nga ky takim i Veselit me pacientë, ministri në dorëheqje i Shëndetësisë Uran Ismaili ka publikuar video.