Arbëri

Shoqëria civile proteston kundër memorialit turk në Tiranë

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar dje në ambientet e parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, kundër memorialit turk, të instaluar aty prej pak kohësh.

Memoriali i vendosur në përkujtim të 251 viktimave të grushtit të shtetit në 15 korrik të 2016 në Turqi, ka ngjallur debate dhe revolta nga ana e shoqërisë shqiptare, e cila e konsideron një provokim të fortë.

Ata u shprehën për “Shekulli”-i se ky është një plan i qeverisë për të konfliktuar dy shtetet, të cilët kanë një të shkuar të errët mes tyre. Më tej, ata theksuan se protestat do të vazhdojnë deri në heqjen e këtij memoriali nga një hapësirë e tillë publike. Nga ana tjetër edhe policia bashkiake kishte marrë masa, duke e rrethuar memorialin, që në orët e para të mëngjesit. E gjithë kjo solli përplasje mes palëve”.

Nuk e kuptoj përse Veliaj ka sjellë sot policinë. Kjo plehra që kanë vendosur sot këtu, do të hiqet një orë e më parë. Duan apo nuk duan, këtë gjë ta marrë vesh edhe ambasadori turk. Ne jemi për miqësi me Turqinë edhe pse këta nuk kanë qenë asnjëherë miqtë tanë, pasi na kanë shkelur dhe shtypur. Na pushtuan për 500 vjet. Në vitin 1747 osmanët nxorën një vendim për të ndalur gjuhën shqipe, në bashkëpunim me grekët në Stamboll. Praktikisht janë armiqtë tanë më të egër popullorë. Kjo qeveri nuk po investon për nevojat bazike të popullit dhe shkon e investon për një gjë të tillë”, tha avokati Zaçe Islami për “Shekulli”-n.

Më tej, ai shtoi se qeveria ka një plan strategjik të fshehtë që të shkaktojë konflikt shoqëror mes dy shteteve.

Vazhdimi i protestave

Në këtë protestë e cila zgjati më shumë se dy orë, nuk munguan as të rinjtë, të cilët deklarojnë se ky sensibilizim i paraprin një proteste të madhe, e cila do të mbahet në ditët në vijim deri në heqjen e memorialit. “Sot (dje) më datë 20 gusht 2019, pas një thirrjeje të iniciuar nga shoqëria civile, iu bashkëngjita dhe unë protestës kundër memorialit turk, me emrat e 251 personave të cilët humbën jetën në 15 korrik 2016 në Turqi. Fatkeqësisht, ende sot e kësaj dite, populli ynë vuan nga politikat nënshtruese të qeverive shqiptare, të cilët glorifikojnë shtetet me të cilat ata bashkëpunojnë”, u shpreh Klajdi Bello.

Mes të tjerash ai deklaroi se në kontekste të ndryshme kohore, ka ndodhur gjithmonë që sa herë kemi marrëdhënie të mira me një shtet tjetër, ose të paktën udhëheqësit tanë, ka një tentativë të tillë në ngritjen e monumenteve të kësaj natyre.”Kësaj radhe është shumë herë më ndryshe, pasi po ngrihet memoriali i disa njerëzve të cilët nuk kane asnjë lloj lidhje më Shqipërinë, pasi ata janë vrarë, martirizuar në vendin e tyre nga një luftë e brendshme, një puçi ushtarak, i cili, e ritheksoj, nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Shqipërinë”, nënvizoi ai.

Duke deklaruar më tej se kjo lëvizje është një provokim i pastër nga ana e qeverisë shqiptare dhe asaj turke, për të matur pulsin e qytetareve shqiptare. “Jam i bindur se, kjo protestë i paraprin një proteste më të madhe, deri në heqjen, prishjen e një monumenti, i cili thjesht sa i bën dëm marrëdhënieve bilaterale dhe zgjon akoma me tej ndjenjën atdhetare të shqiptarëve”, përfundoi ai.

Cenimi i identitetit

Për aktivistin , Kastriot Frashëri, vendosja e një memoriali të tillë në tokën shqiptare cenon identitetin dhe kurrsesi nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar.

“Fakti që një vend, edhe pse Shqipëria të paktën mendohet se ka marrëdhënie të mira me Turqinë, është një dëmtim i interesit të shqiptarëve. Me vendosjen e këtij memoriali ne që kemi të bëjmë me cenimin e sovranitetit dhe identitetit kombëtar. Ne jemi një organizatë që nuk merremi me çështjet e brendshme të Shqipërisë, dhe vendosja e memorialit është një çështje e brendshme e Turqisë dhe nuk ka pse eksportohet këtu. “, u shpreh ai.

Reagim

Studiuesi Frederik Ruço është shprehur se, protesta e ditës së djeshme kundër memorialit turk ishte patriotike, ndërsa shtoi se Policia e Shtetit nuk kishte dhënë leje për këtë manifestim qytetar.

“E morëm vesh më 15 të këtij muaji. U irrituam sigurisht dhe sot vendosëm që sot të shkonim te memoriali, te Liqeni. U shoqërua edhe me këngë patriotike. Ishin të gjithë të irrituar, madje donin edhe të prishej. Kjo nuk mund të ndodhte pasi ne jemi me kulturë. Kishte më shumë policë se qytetarë. Shkuam të kërkonim leje dhe nuk na dhanë”, deklaroi Ruço. Sipas tij, ky është në pushtet kulturor. “Nuk kemi asgjë me popullin turk. Na pëlqen kultura, muzika etj, por gjithçka ka një cak. Të mos e acarojnë më shumë këtë popull”, përfundoi Ruço.

Një tjetër memorial në Parkun e Liqenit

Në parkun e Liqenit po ndërtohet një tjetër memorial në ndër të 6 milionë hebrenjve të vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Në një foto të publikuar dje në media shihen punëtorë të bashkisë së Tiranës, të cilët punojnë për rregullimin e fasadës, ku janë të pozicionuara tri gurë mermeri të mbuluara. Në fakt, për këtë memorial puna ka filluar më herët, por tashmë po punohet me shkallaret dhe fasadën rreth tij, ndërsa nuk ka ende një lajm se kur do të jetë gati për ceremoninë e inaugurimit.

Më herët, kryetari bashkisë, Erjon Veliaj ka deklaruar se Tirana ka vend për të gjithë, kur i është dashur t’i përgjigjet pyetjes për memorialin e shumëdebatuar të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi. Në kodrat e liqenit, përmendorja ende në fazën e punimeve, ka citime në 3 gjuhë (shqip, anglisht, hebraisht). Më herët për memorialin në nder të hebrenjve është shprehur edhe Drejtori Ekzekutiv i “American Jewish Committee” (AJC), David Harris. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se Shqipëria po bën diçka që askush nga pjesë tjetër e botës nuk e ka bërë, duke i falënderuar për këtë vendim”Unë pashë këtë vepër në parkun shqiptar.

Fjalët e fundit janë: “Ky monument ngrihet për të kujtuar dhe nderuar gjashtë milionë hebrenjtë e Evropës, që u vranë dhe si dhe shqiptarët që me vetëmohim i mbrojtën hebrenjtë kur pjesa tjetër e botës nuk e bëri. Faleminderit Shqipëri”, shkruan Drejtori Ekzekutiv i American Jewish Committee.

Peticioni kundër memorialit turk mbledh 10.000 firma

Përfaqësues nga organizatorët e peticionit thanë se ngritja e Memorialit përbën një “Fait Accompli” dhe është marrë me një vendim të fshehtë nga opinioni publik. Në një peticion online të shoqërisë civile, grushti i dështuar i shtetit në Turqi quhet “një ngjarje që nuk ka asnjë domethënie apo rëndësi historike, kulturore dhe shpirtërore për qytetarët e Tiranës”. Peticioni deri dje ka mbledhur firmat e 9800 qytetarëve.

“Respekt për këdo që nuk jeton më, por ky Memorial nuk na përket neve. Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë. Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të. Memoriali dhe dy emërtimet nuk kanë mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror nga qytetarët e Tiranës./Shekulli

Image